Britania dhe Kosova memorandum për shërbimet socio-ekonomike
Prishtinë, 15 nëntor - Ministri për Komunitete dhe Kthim, Radojica Tomiq, dhe Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ian Cliff, kanë nënshkruar memorandumin rreth financimit të projektit të përbashkët Projekti i Stabilizimit dhe Reintegrimit të Komuniteteve.
Ky projekt i rëndësishëm do të kontribuoj në përmirësimin e shërbimeve socio-ekonomike përmes aktiviteteve për krijimin e të ardhurave të komunitetit pakicë, dhe në të njëjtën kohë forcimin dhe promovimin e kthimit të qëndrueshëm dhe integrimit.
Të dy këto fusha janë identifikuar si prioritet në Raportin e Komisionit Evropian të Progresit për vitin 2011.
Është paraparë se Projekti do të rritë mundësinë e punësimit, dhe se do të mundësoj lidhje tregtare në mes të komuniteteve në Komunën e Prizrenit, Rahovecit, Klinës, Istogut dhe Shtërpcës.
Projekti ka lindur si rrjedhojë e mundit të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Britanisë së Madhe, e cila është fokusuar në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme multi-etnike në Kosovë.
Për realizimin e këtij Projekti Qeveria e Britanisë së Madhe përmes Ambasadës së saj në Prishtinë ka ndarë 172,000 Euro, përderisa Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim ka ndarë 100,000 Euro.