Brexit mund të shkaktojë lëkundje financiare afatgjata
Washington, 18 qershor - Zëdhënësi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Gerry Rice, deklaroi të enjten vonë se largimi i Britanisë së Madhe (Brexit) nga Bashkimi Evropian (BE) mund të shkaktojë në terma afatgjata paqartësi, lëkundje financiare dhe rritje të ngadaltë.
Gerry Rice vlerësoi zhvillimet, që mund të pasojnë referendumin e 23 qershorit në Britaninë e Madhe, në rast se ai rezulton me Brexit, gjatë një konference shtypi në ambientet e selisë së FMN-së në Uashington.
Fondi Monetar Ndëkombëtar respekton zgjedhjen e britanikëve dhe nuk ka për qëllim ti bjerë ziles së alarmit. Por një ndër detyrat e FMN-së është vlerësimi i rezultateve të mundshme ekonomike, theksoi ndër të tjera zëdhënësi Rice.
Në raportin e mëparshëm të saj mbi perspektivën ekonomike botërore, FMN-ja paralajmëronte se dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian mund të shkaktojë dëme të rënda rajonale dhe globale.
I ashtuquajturi Brexit do të prishë marrëdhëniet tregtare të vendosura deri më sot dhe do të shkaktojë sfida të mëdha për të dyja palët, Mbretërinë e Bashkuar dhe pjesën tjetër të Evropës, theksohej në atë raport.
FMN-ja gjithashtu nënvizonte se referendumi kishte krijuar që tani pasiguri për investitorët dhe një votë pro daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja vetëm sa do ta thellonte këtë.