BQK: Sistemi financiar i Kosovës me nivel të lartë të qëndrueshmërisë
Prishtinë, 4 shkurt Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se sistemi financiar i Kosovës ka vazhduar të reflektojë nivel të lartë të qëndrueshmërisë në të gjithë sektorët përbërës të tij.
Sipas BQK-së, sektori bankar, si përbërësi kryesor i sistemit financiar të Kosovës, ka ruajtur nivelin e qëndrueshmërisë, përderisa aktiviteti ndërmjetësues financiar ka vazhduar të rritet por me ritëm të ngadalësuar.
Në Raportin e Stabilitetit Financiar të BQK-së, thuhet se përmirësimi i treguesve kryesor makroekonomik nëKosovë, krahasuar me vitin e kaluar, paraqet shenja inkurajuese për ambientin afarist në vend, por që nuk ka ndikuar në rritjen e gatishmërisë së sektorit bankar për një zgjerim më të shpejtëtë kredidhënies drejtë ekonomisë vendore.
Ekonomia globale edhe gjatë vitit 2013 u karakterizua me normë pozitive të rritjes, por që ishte më e ulët krahasuar me vitin paraprak. Norma pozitive e rritjes së ekonomisë globale kryesisht u arrit si rezultat i rritjes së ekonomive të vendeve në zhvillim dhe ekonomisë së SHBA-ve, përderisa vendet e Eurozonës vlerësohet të kenë shënuar rënie ekonomike në vitin 2013.
Performanca më e dobët e sektorit real në ekonomitë e Eurozonës është shoqëruar me vazhdim të rritjes së borxhit publik, gjë që ka rritur shqetësimet rreth qëndrueshmërisë së financave publike sidomos në disa nga vendet e Eurozonës. Këto zhvillime të pafavorshme ekonomike kanë bërë që norma e papunësisë në këto vende të vazhdojë të rritet, me implikime të mundshme edhe për ekonomitë e vendeve të rajonit tonë të cilat kanë shkallë të lartë të mbështetjes në remitenca.
Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Eurozonë dhe në vendet e zhvilluara në përgjithësi ka bërë që viti 2013 të karakterizohet me rënie të presioneve inflacioniste, gjë që ka ngritur shqetësimet rreth mundësisë së hyrjes në një periudhë deflacioni sidomos për vendet e Eurozonës.
Përkundër uljes së vazhdueshme të normës bazë të interesit nga Banka Qendrore Evropiane, sektorët bankar të këtyre vendeve kanë vazhduar të kenë rol të zbehtë në nxitjen e aktivitetit ekonomik, përderisa performanca e dobët e ekonomive ka vazhduar të reflektohet në përkeqësimin e cilësisë së kredive në këto vende. Si do që të jetë, viti 2014 pritet të karakterizohet me performancë më të mirë të ekonomisë globale, përfshirë Eurozonën, gjë që pritet të ndihmojë tejkalimin e sfidave me të cilat po ballafaqohen ekonomitë e zhvilluara, thuhet në raport.
Për vendet Evropës Juglindore, viti 2013 në përgjithësi vlerësohet të ketë qenë vit i rikuperimit ekonomik si rezultat i normave pozitive të rritjes ekonomike në të gjitha vendet e këtij rajoni.
Rritja e aktivitetit ekonomik në këto vende është reflektuar në një rënie të lehtë të normës së papunësisë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2013, përderisa është vërejtur rritje e presioneve inflacioniste. Përkundër përmirësimit të bilancit buxhetor, borxhi publik i vendeve të EJL-së ka vazhduar të rritet, mirëpo vazhdon të mbetet nën nivelin e Eurozonës. Ngjashëm me vendet e Eurozonës, sektorët bankar në vendet e EJL-së kanë vazhduar shtrëngimin e theksuar të
kredidhënies, përderisa edhe depozitat janë karakterizuar me trend më të ngadalshëm të rritjes, është thënë në raportin e BQK-së.
Cilësia e portofolit kreditor ka vazhduar të përkeqësohet, ndërsa është shënuar përmirësim i lehtë në treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit.
Zhvillimet më të favorshme ekonomike të rajonit gjatë vitit 2013 ishin të pranishme edhe në ekonominë e Kosovës. Norma reale e rritjes ekonomike në Kosovë për vitin 2013 vlerësohet të ketë qenë rreth 3.1 përqind, që vazhdon të mbajë Kosovën si vendin me normën më të lartë të rritjes ekonomike në rajon.
Krahasuar me vitin paraprak kur norma reale e rritjes ishte 2.5 përqind dhe ishte shënuar ngadalësim i rritjes ekonomike, viti 2013 është karakterizuar me përshpejtim të rritjes ekonomike gjë që shfaqë shenja të një rikuperimi ekonomik që pritet të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm.
Si do që të jetë, adresimi i sfidave kryesore për ekonominë e Kosovës, siç është zvogëlimi i mëtejmë i normës së papunësisë, kërkon norma edhe më të larta të rritjes ekonomike.
Rritja e ekonomisë së Kosovës gjatë kësaj periudhe kryesisht pritet tiatribuohet rritjes së konsumit, përderisa rënia e importeve dhe rritja e eksporteve pritet të kontribuojë pozitivisht në normën reale të rritjes ekonomike.
Në anën tjetër, efekti i investimeve në normën reale të rritjes mund të konsiderohet të ketë qenë neutral. Ekonomia e Kosovës edhe gjatë kësaj periudhe vazhdoi të karakterizohet me deficit të lartë të llogarisë rrjedhëse që kryesisht shkaktohet nga deficiti i lartë tregtar. Megjithatë, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013, importet shënuan vetëm një rritje të lehtë prej 0.6 përqind,
Ndërsa eksportet shënuan rritje vjetore prej 9.9 përqind. Situata më e favorshme për sa i përket të hyrave nga jashtë u reflektua edhe përmes rritjes së remitencave për 4.2 përqind gjatë gjashtëmujorit të parë 2013 si dhe rritjes së investimeve të huaja direkte për 66.4 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2013, inflacioni kishte një normë të moderuar prej 2.7 përqind e cila ishte më e lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, por që filloi të zvogëlohet gjatë gjysmës së dytë të vitit si rezultat i presioneve deflacioniste në vendet eurozonës me të cilat Kosova realizon pjesën më të madhe të
aktivitetit tregtar.
Ekonomia e Kosovës vazhdon të ketë pozicion të favorshëm për sa i përket stabilitetit të sektorit fiskal si në kontekst të bilancit buxhetor ashtu edhe në kontekst të nivelit të borxhit publik, thuhet në raport..
Përkundër ambientit më të favorshëm makroekonomik dhe nivelit të kënaqshëm të likuiditetit, kreditimi nga sektori bankar vazhdoi të karakterizohet me ngadalësim të trendit të rritjes Kështu, në qershor 2013 vlera e gjithsej kredive arriti në 1.83 miliardë euro duke shënuar një rritje vjetore prej 2.8 përqind, krahasuar me normën e rritjes prej 9.3 përqind në qershor 2012.
Shtrëngimi i kredidhënies ishte i pranishëm si për kreditë e ndërmarrjeve ashtu edhe për kreditë e ekonomive familjare. Shtrëngimi i aktivitetit kredidhënës në përgjithësi vlerësohet të jetë pasojë e shtrëngimit të kritereve për aprovimin e kërkesave për kredi nga ana e bankave, por sipas raportimeve të bankave në Anketën e Kreditimit Bankar konsiderohet se ka pasur edhe rënie të kërkesës për kredi nga ndërmarrjet.
Në shtrëngimin e kritereve për kredidhënie mund të kenë ndikuar edhe strategjitë e grupeve të huaja bankare për të rritur nivelin e kapitalizmit përmes zvogëlimit të ekspozimeve të tyre kreditore.
Sektori bankar i Kosovës vazhdoi të ketë depozitat vendore si burim kryesor të financimit. Në qershor 2013, gjithsej depozitat arritën vlerën prej 2.2 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 4.4 përqind (7.7 përqind në qershor 2012). Përkundër ngadalësimit të trendit të rritjes,depozitat vazhduan të rriten me normë më të lartë se sa norma e rritjes së kredive, gjë që tregon se bankat vazhdojnë të kenë financim të qëndrueshëm dhe se shtrëngimi i kredidhënies nuk ka të bëjë me mungesë fondesh në banka.
Burimi kryesor i depozitave në sektorin bankar të Kosovës vazhdojnë të jenë ekonomitë familjare, depozitat e të cilave konsiderohen të jenë më stabile në raport me burimet tjera të financimit. Sektori bankar i Kosovës vazhdon të ketë nivel të ulët të ekspozimit ndaj sektorit të jashtëm si në kuadër të aseteve ashtu edhe të depozitave, duke bërë që ndjeshmëria e sektorit ndaj zhvillimeve në tregjet e jashtme të jetë e ulët.
Aktiviteti ndërmjetësues financiar i bankave në Kosovë gjatë gjysmës së parë të vitit 2013 u karakterizua me rënie të normave të interesit në kredi dhe rritje të lehtë të normave të interesit në depozita.
Gjatë kësaj periudhe, norma mesatare e interesit në kredi u zvogëlua në 12.8 përqind nga 13.7 përqind sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Në kudër të kategorive të ndryshme të kredive bankare janë vërejtur edhe norma të ndryshme të interesit, ku për ndërmarrjet normat më të ulëta janë vërejtur te kreditë për qëllime investive në të cilat norma më e ulët mesatare ishte 10.3 përqind.
Për sa i përket depozitave, norma mesatare e interesit, gjatë gjashtëmujorit të parë 2013 ishte 3.5 përqind, krahasuar me 3.4 përqind sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Rrjedhimisht, dallimi ndërmjet normave të interesit në kredi dhe depozita u zvogëlua në 9.3 pp nga 10.3 pp sa ishte paraprakisht, ka njoftuar BQK-ja.
Përkundër ngadalësimit të kredidhënies dhe ngushtimit të margjinës së normave të interesit,sektori bankar i Kosovës gjatë gjysmës së parë të vitit 2013 shënoi rritje të konsiderueshme të profitit. Profiti i realizuar deri në qershor 2013 arriti vlerën prej 16.2 milionë euro, që paraqet njërritje vjetore prej 58.2 përqind.
Rritja e profitit gjatë kësaj periudhe ishte rezultat i zvogëlimit të shpenzimeve të sektorit bankar për 5.7 përqind, përderisa të hyrat shënuan rënie vjetore prej 1.2 përqind.
Duke pasur parasysh faktin se zvogëlimi i shpenzimeve ka ndodhur kryesisht si rezultat i zvogëlimit të shpenzimeve për provizione, një përkeqësim më i theksuar i cilësisë së portfolios kreditore, që do të nënkuptonte nevojën për ndarje të provizioneve të reja, do të reflektohej në rritje të gjithsej shpenzimeve dhe, si rrjedhojë, do të mund të zvogëlonte profitin e sektorit bankar., thuhet në raport.
Andaj, bankat duhet të ndërmarrin masa për rritjen e efikasitetit të tyre duke bërë përshtatjet e nevojshme për zvogëlimin e shpenzimeve operacionale, sidomos në kohën kur të hyrat po karakterizohen me performancë negative.
Sektori bankar i Kosovës ka vazhduar të karakterizohet me menaxhim të mirë të rreziqeve bankare, gjë që ka rezultuar në një sektor bankar me pozicion të mirë likuiditetit, cilësi të mirë të portofolit kreditor dhe nivel të lartë të kapitalizimit. Rritja më e shpejtë e depozitave në krahasim me rritjen e kredisë ka bërë që raporti kredi depozita në qershor 2013 të jetë 83 përqind gjë që flet për gjendje të kënaqshme të likuiditetit në sektorin bankar.
Poashtu, raporti ndërmjet mjeteve likuide dhe detyrimeve afatshkurtra, që me rregulloren përkatëse të Bankës Qendrore kërkohet të mbahet në një nivel minimal prej 25 përqind, në qershor 2013 qëndroi në 38.5 përqind. Bankat kanë vazhduar që edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2013 të mbajnë nivel më të lartë të rezervave në Bankën Qendrore se sa që është niveli minimal i kërkuar.
Rezultatet e stres-testit për sektorin bankar, të bazuar në skenarë mjaft konzervativ për sa i përket disponueshmërisë së aseteve likuide dhe normës së mundshme të tërheqjes së depozitave paraqesin rezultate mjaft të favorshme për sa i përket aftësisë së sektorit bankar të Kosovës për të shërbyer tërheqje më të theksuara të depozitave, thuhet në raport.
Sektori bankar i Kosovës vazhdoi të ketë cilësi të mirë të portofolit kreditor me një pjesëmarrje të kredive joperformuese në gjithsej kreditë prej 7.8 përqind në qershor 2013, që paraqet nivelin më të ulët në kuadër të vendeve të rajonit. Megjithatë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, vërehet një rritje e pjesëmarrjes së kredive joperformuese për 1.3 pp.
Rritja e raportit ndërmjet kredive joperformuese dhe gjithsej kredive në radhë të parë i atribuohet ngadalësimit të rritjes së gjithsej kredive, përderisa vlera e kredive joperformuese ka vazhduar të rritet me trend të ngjashëm me vitin paraprak.
Megjithatë, rritja e kredive jo-performuese mund të jetë edhe refleksion i zhvillimeve në aftësinë paguese të kredimarrësve, marrë parasysh se normat e rritjes ekonomike në vitet e fundit, përkundër se pozitive, ishin më të ulëta krahasuar me periudhën para krizës globale financiare. Sektorët të cilët u karakterizuan me cilësi më të dobët të kredive ishin sektori i prodhimtarisë dhe sektori i energjisë, ku pjesëmarrja e kredive joperformuese në gjithsej kreditë e lëshuara për këta sektorë ishte 15.7 përkatësisht 11.5 përqind, ka njoftuar BQK-ja.
Ndërsa, kreditë e lëshuara për ekonomitë familjare u karakterizuan me cilësi më të mirë, me një pjesëmarrje të kredive joperformuese prej 2.5 përqind. Përkundër rritjes, kreditë joperformuese vazhdojnë të jenë mirë të mbuluara me provizionet për humbje nga kreditë.
Në qershor 2013, shkalla e mbulueshmërisë me provizione ishte 113.2 përqind, gjë që tregon se bankat kanë ndarë një nivel të kënaqshëm të rezervave për tu ballafaquar me humbjet e mundshme nga kreditë. Në kuadër të strukturës së kredive të sektorit bankar është evidentuar rritje e vlerës së ekspozimeve të mëdha kreditore, por gjithashtu është shtuar numri i ekspozimeve, që nënkupton që është bërë shpërndarja e koncentrimit të rrezikut kreditor në më
shumë kredimarrës të mëdhenj.
Sipas BQK-së, nëiveli i mjaftueshmërisë së kapitalit në sektorin bankar të Kosovës vazhdoi të jetë i lartë. Nëqershor 2013, Treguesi i Mjaftueshmërisë së Kapitalit qëndroi në 16.5 përqind, që tejkalon nivelin minimal prej 12 përqind të kërkuar nga Banka Qendrore. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, vërehet se treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ka rënë për 0.7 pp që kryesisht është rrjedhojë e hyrjes në fuqi të rregulloreve të reja bankare të cilat kanë ndryshuar mënyrën e përllogaritjes së kapitalit rregullativ.
Përveç nivelit të lartë të kapitalizimit, sektori bankar i Kosovës karakterizohet edhe me cilësi të mirë të kapitalit, ku kapitali i klasit të parë përfaqëson 81 përqind të gjithsej kapitalit rregullativ. Niveli i kënaqshëm i kapitalizimit të sektorit bankar tregohet edhe nga rezultatet e stres-testit të cilat sugjerojnë se niveli aktual i kapitalizimit i mundëson bankat që të përballojnë edhe norma më të theksuara të rritjes së kredive joperformuese ose rreziqe të tjera bankare siç është rreziku i tregut.
Bankat të cilat operojnë në Kosovë mund të konsiderohen se kanë shkallë të ulët e1kspozimi ndaj rrezikut të tregut si rezultat i faktit që pjesa më e madhe e kredive dhe depozitave kanë normë fikse të interesit si dhe faktit që pjesa dërmuese e aseteve dhe detyrimeve janë në valutën euro.
Përderisa infrastruktura bankare gjatë kësaj periudhe u karakterizua me zvogëlim të numrit të nëndegëve dhe numrit të punësuarve, rritja e vazhdueshme e rrjetit të bankomatëve dhe paisjeve POS nga sektori bankar ndikoi në rritjen e efikasitetit të shërbimeve bankare. Sistemi i pagesave gjatë vitit 2013 ka avancuar si në kuadër të bazës ligjore, ashtu edhe në aspektin e rritjes së efikasitetit.
Në maj 2013, hyri në fuqi Ligji për Sistemin e Pagesave i cili ka mundësuar përforcimin e kompetencave të BQK-së për mbikëqyrjen, monitorimin dhe kontrollin e sistemit të pagesave dhe infrastrukturës së tregjeve financiare, me qëllim të sigurimit të një sistemi të qëndrueshëm dhe efikas të pagesave.
Rritja e sigurisë në sistemin e pagesave ka ndikuar në rritjen e mëtejme të numrit dhe vlerës së transaksioneve të kryera përmes sistemit të vetëm ndërbankar të pagesave në Kosovë (SEKN). Në kuadër të zgjerimit të infrastrukturës së sistemit të pagesave, vlen të theksohet fillimi i përfshirjes së sistemit të tregtimit, depozitimit dhe shlyerjes së letrave me vlerë (angl.CSD: Central Securities Depository), ku realizohet shlyerja e transaksioneve të letrave me vlerë. Në fund të vitit 2013, Kosova poashtu siguroi kodin e veçantë shtetëror SWIFT me të cilin do të identifikohen institucionet financiare që operojnë në Kosovë gjatë realizimit të transfereve ndërkombëtare.
Kjo pritet të kontribuojë në rritjen e efikasitetit dhe zvogëlimin e kostos së transfereve ndërkombëtare. Për sa i përket institucioneve tjera financiare, asetet e sistemit pensional vazhduan të rriten, duke arritur vlerën prej 808.8 milionë euro në qershor 2013 (rritje vjetore prej 22.7 përqind).
Pjesa më e madhe e aseteve të sistemit pensional vazhdon të menaxhohet nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), asetet e të cilit shënuan përmirësim të performancës e cila u shpreh në rritje të çmimit të aksionit. Me rritje të veprimtarisë u karakterizua edhe sektori i sigurimeve, asetet e të cilit arritën vlerën prej 130.1 milionë euro duke shënuar rritje vjetore prej 8.3 përqind. Përkundër rritjes së aktivitetit, sektori i kompanive të sigurimit u karakterizua me humbje prej 1.4 milionë euro, që rezultoi nga rritja më e shpejtë e shpenzimeve krahasuar me rritjen e të hyrave., thuhet në raport.
Për dallim nga komponentët tjerë të sistemit financiar të Kosovës, sektori i institucioneve mikrofinanciare shënoi zvogëlim të aktivitetit. Vlera e kredive dhe lizingjeve të lëshuara nga institucionet mikrofinanciare në qershor 2013 ishte 95.9 milionë që paraqet një rënie vjetore prej 6.5 përqind.(www.ekonomia-ks.com)