BQK shënon Ditën Botërore të Kursimeve me aktivitete virtuale
Prishtinë, 31 tetor - Për vite me radhë, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit të publikut rreth rëndësisë së kursimeve dhe menaxhimit të duhur të parasë, BQK-ja ka shënuar këtë ditë me aktivitete edukative.
Derisa çdo vit janë pritur të rinj dhe nxënës të grupmoshave të ndryshme, këtë vit për arsye të Pandemisë Covid 19, sikurse edhe shumica e vendeve të botës edhe ne do ta shënojmë Ditën Botërore të Kursimeve vetëm përmes aktiviteteve virtuale e që kryesisht u janë dedikuar nxënësve të shkollave fillore.
Aktiviteti i parë është lancimi online i teksteve të edukimit financiar për klasat I deri në V në platformën e saj të edukimit financiar në në gjuhën shqipe, gjuhën serbe, gjuhën turke dhe në gjuhën rome.
Në kanalin Youtube të BQK-së sot po ashtu do të publikohet edhe versioni i teksteve me zë.
Tekstet përmbajnë këshilla rreth menaxhimit të duhur të parasë, krijimit të shprehisë së kursimeve, planifikimit të buxhetit personal e familjar, funksionimit bazik të një banke, zhvillimit të aftësive themelore të ndërmarrësisë, e shumë këshilla tjera të vlefshme për nxënësit e këtyre moshave.
Aktiviteti i dytë që kemi disenjuar është shpallja e konkursit për fëmijë me tematikën e kursimeve me moton: “Me kursime të vogla për qëllime të mëdha”, përmes të cilit ftojmë nxënësit e klasave VI deri IX, që të përgatitin Ese për kursimet dhe t’i dërgojnë në mënyrë elektronike në BQK.
Qëllimi i këtij konkursi është që të nxitim fëmijët të mësojnë më shumë rreth rëndësisë së kursimeve.
BQK do të ndajë 10 çmime me rastin e përzgjedhjes së punimeve, ndërsa punimet fituese do të shpërblehen me shpërblime simbolike, kurse të interesuarit konkursin e plotë mund ta gjejnë të publikuar në faqen zyrtare të BQK-së.
Aktiviteti i III-të do jetë publikimi i punimeve fituese të nxënësve nga konkursi i vitit të kaluar, të cilat mund t’i gjeni në platformën e edukimit financiar të BQK-së.
Thonë që “Një euro e kursyer është një euro e fituar” dhe unë uroj që ky mesazh dhe këto aktivitete edukative të ndërmarra nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, do të ndikojnë sado pak që të ju inkurajojnë të gjithë juve të jeni më të ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e kursimeve dhe menaxhimin e duhur të parasë.