18 Nëntor 2024

BQK publikoi statistikat për sektorin financiar

Prishtinë, 31 mars - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës publikoi statistikat e sektorit financiar me të dhënat për muajin shkurt 2014, si dhe statistikat e sektorit të jashtëm me të dhënat për tremujorin e katërt 2013.

Të dhënat janë publikuar në kuadër të Serive Kohore në faqen e internetit të BQK-së sipas kalendarit të publikimeve t+25 për sektorin financiar dhe t+90 për sektorin e jashtëm.

Statistikat financiare ndër të tjera përfshijnë pasqyrat e korporatave financiare, bilancin e gjendjes së BQK-së, bilancin e gjendjes dhe bilancin e suksesit të bankave komerciale, vlerën e kredive dhe depozitave, normat e interesit për kredi dhe depozita, pasqyrat financiare të korporatave tjera financiare, etj. Statistikat e sektorit të jashtëm përfshijnë statistikat e bilancit të pagesave, pozicionit të investimeve ndërkombëtare si dhe statistikat e borxhit të jashtëm të Kosovës.

Për më shumë, të dhënat e publikuara janë konform standardeve statistikore ndërkombëtare me një shkallë të lartë të krahasueshmërisë.Këto informata njëkohësisht publikohen në FMN në publikimin “Statistikat Financiare Ndërkombëtare” (anglisht: International Financial Statistics – IFS) dhe në Bankë Botërore (anglisht: Quarterly External Debt Statistics – QEDS).

Më poshtë është dhënë një pasqyrë e përmbledhur që karakterizon statistikat e sektorit financiar për muajin shkurt 2014
 dhe statistikat e sektorit të jashtëm për tremujorin e katërt 2013. Në fund është paraqitur edhe një shtojcë statistikore lidhur me komponentët kryesor të statistikave të sektorit financiar dhe sektorit të jashtëm. 
SEKTORI FINANCIAR

Bilanci i gjendjes i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës

Gjatë muajit shkurt 2014, asetet e BQK-së janë zvogëluar për rreth 31 milionë euro krahasuar me muajin janar 2014. Vlera e aseteve të BQK-së më 28 shkurt 2014, ishte 1.65 miliard euro krahasuar me 1.68 miliard euro sa ishte në janar 2014. Investimet e BQK-së jashtë vendi gjatë muajit shkurt 2014 kanë pasur një tendencë të lehtë rënëse (0.8 përqind) në krahasim me muajin paraprak duke shënuar vlerën 1.32 miliard euro.

Gjatë shkurtit 2014 ka pasur ndryshime në strukturën e investimeve të BQK-së jashtë vendi; janë rritur investimet në depozita kurse janë zvogëluar investimet në letra me vlerë.Në fund të shkurtit 2014, investimet e BQK-së në depozita jashtë vendi shënuan vlerën 860.6 milionë euro krahasuar me 842.4 milionë euro sa ishin në janar 2014.  Investimet në letra me vlerë kanë rënë në 630.9 milionë euro nga 660.8 milionë euro sa ishin në janar  2014.

Bankat komerciale, në fund të muajit shkurt 2014, kanë zvogëluar depozitat me BQK-në për rreth 30 milion euro, kurse depozitat e institucioneve të tjera në BQK në përgjithësi kanë mbetur në nivelin e njëjtë me atë të janarit  2014.

Bilanci i gjendjes së bankave komerciale

Asetet e bankave komerciale në fund të shkurtit 2014 kanë arritur vlerën 3.04 miliardë euro. Në kuadër të aseteve, bilanci i bankave komerciale në BQK është zvogëluar për rreth 30 milionë euro. Bruto kreditë e bankave komerciale shënuan vlerën 1.8 miliard euro. Investimet e bankave në letra me vlerë arritën në 373.1 milionë euro apo rritje mujore prej 18.1 milionë euro.

Depozitat e klientëve në bankat komerciale në shkurt 2014 shënuan vlerën 2.4 miliardë euro. Rreth 46.0 përqind e depozitave janë të afatizuara. Raporti i kredive ndaj depozitave mbetet në nivelin 73.7 përqind. Huamarrjet e bankave, detyrimet e tjera dhe provizionet për kredi të gjitha se bashku janë rritur për 4.8 %. Neto fitimi i bankave komerciale në Kosovë në dy muajt e parë të 2014 shënoi vlerën 5.4 milionë euro. Kapitali i bankave komerciale arriti në 283.4 milionë euro. Krahasuar me shkurtin e vitit 2013  kapitali u rrit 0.8 përqind.

Normat e interesit në kredi dhe depozita

Normat e interesitnë depozita kanë shënuar rënie në shkurt për 0.6 pikë përqindje krahasuar me muaji paraprak.  Në mesatare, norma e interesit në depozita për muajin shkurt ka qenë 2.0 përqind dhe paraqet nivelin më të ulët që nga viti 2004. Rënia e mesatares së përgjithshme për 0.6 pikë përqindje krahasuar me periudhën paraprake erdhi si rezultat i rënies së normave të interesit në depozita  të ekonomive familjare.

Norma e interesit në kredi që ofrojnë bankat komerciale ka mbetur përafërsisht në nivel të njëjtë me periudhën paraprake. Në mesatare, norma e interesit për muajin shkurt ka qenë 11.8 përqind (11.7 përqind ishte në janar).

 
Norma e interesit në kredi nga institucionet mikrofinanciare për muajin shkurt ka qenë 23.3 përqind, duke shënuar rënie për 1.4 përqind nga periudha paraprake. Rënia e mesatares së përgjithshme erdhi si rezultat i rënies së normave të interesit për ekonomitë familjare. Pjesëmarrja e korporatave jofinanciare në gjithsej kreditë e reja është rreth 25 përqind e totalit të kredive të reja të lejuara nga institucionet mikrofinanciare.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)