16 Janar 2025

BQK nuk guxon të politizohet

Prishtinë, 21 shkurt - Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Bedri Hamza dhe guvernatori aktual Gani Gërguri, do t'i kërkojnë votat e deputetëve të Kosovës për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

I pari është më i favorizuari për këtë post pasi që gëzon mbështetjen e partisë më të madhe në vend, PDK-së, nga edhe vjen.

Tashmë paneli intervistues i ka dërguar emrat e tyre në Kuvend dhe Qeveri, si kandidatë seriozë për ta udhëhequr institucionin më të lartë financiar.

Njohës të ekonomisë vlerësojnë se procesi i zgjedhjes së guvernatorit të BQK-së është proces i zhvilluar sa për sy e faqe, meqë guvernatori i ri është kuptuar në momentin e parë kur Bedri Hamza dha dorëheqje nga Ministria e Financave.

Në anën tjetër, përfaqësues të Bankës Botërore në Kosovë kërkojnë që të ruhet pavarësia e BQK-së dhe porositin që ky institucion të mos jetë subjekt i ndërhyrjeve partiake.

Shefi i Bankës Botërore në Kosovë, Jan-Peter Olters, ka thënë për gazetën “Tribuna” se, sipas rregullave, guvernatori nuk mund të jetë parlamentar e as udhëheqës i ndonjë posti publik. “Është shumë me rëndësi që Banka qendrore të mbetet e pavarur dhe e papolitizuar”, ka thënë Olters.

Sipas tij, edhe në traktatin e Bashkimit Evropian është shumë e qartë që BQK të mos jetë subjekt i ndërhyrjeve politike. “Sa i përket rrezikut se dikush vjen prej politikës është gjithnjë i pranishëm, por çfarë bën ai njëri me atë post. Kemi parë në shumë vende tjera (shtete tjera) të jenë emëruar persona me të kaluar politike dhe jopolitike”, theksoi Olters.

Kurse, Lumir Abdixhiku, drejtor i Institutit “Riinvest” ka vlerësuar se një proces i tillë tregon më së miri zaptimin e institucioneve të pavarura në Kosovë nga njerëz të politikës.

“Procesi i zaptimit është identik me rastin e zgjedhjes të rektorit të Universitetit Publik, kur një zyrtar i qeverisë dorëhiqet për t'u akomoduar në një institucion të pavarur. Unë mendoj se institucionet e pavarura duhet të mbesin si të pavarura dhe në vend të politizimit të mëtutjeshëm ato të depolitizohen”, tha Abdixhiku. 


/tribuna/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)