BQK: Norma e rritjes ekonomike arriti në 3.1 përqind
Prishtinë, 22 shkurt - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se aktiviteti ekonomik gjatë vitit 2013 u karakterizua me trende pozitive. Rrjedhimisht, norma e rritjes ekonomike arriti në 3.1 përqind.
Sipas BQK-së përmirësimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë si përmirësimi i pozicionit neto të eksporteve në mallra dhe shërbime kanë bërë që kontributi i kësaj kategorie të jetë pozitiv. Përveç pozicionit të jashtëm, edhe komponenta e konsumit ka vazhduar të mbajë trendet pozitive duke u përkrahur nga remitencat, kreditë konsumuese si dhe nga pagat.
"Sa i përket investimeve, trendi pozitiv i tyre u përkrah nga investimet e huajadirekte dhe kreditë për investime. Kontribut pozitiv në rritjen ekonomike kishte edhe sektori fiskal i cili u karakterizua me rritje të të hyrave dhe shpenzimeve", thuhet në raportin e BQK-së për vlerësimin Tremujor të Ekonomisë kosovare. (Ekonomia-ks.com)