BQK nis procedurat e likuidimit të Iute Credit Kosovo dhe Monego
Prishtinë, 6 dhjetor - Bordi Ekzekutiv i Bankë Qendrore të Kosovës (BQK) ka bërë të ditur se ka inicuar procedurat e likuidimit për Institucionin Mikrofinanciar “Iute Credit Kosovo” Sh. A. dhe për Institucionin Financiar Jobankar “Monego”.
"Sot Bordi Ekzekutiv i BQK-së, duke u bazuar në kompetencat që i garanton neni 36 paragrafi 1, nënparagrafët 1.11 dhe 1.12, si dhe neni 67 paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe në pajtim me nenin 105, paragrafi 1, nënparagrafi 1.10 të Ligjit për Bankat, Institucionet Financiare dhe Institucionet Financiare Jobankare, ka vendosur që të revokojë regjistrimin dhe të inicojë procedurat e likuidimit për institucionin mikrofinanciar “Iute Credit Kosovo” Sh. A. dhe për institucionin financiar jobankar “Monego”, bërë të ditur guvernatori Fehmi Mehmeti.
Përmes politikës së saj të licencimit, BQK-ja në vazhdimësi sipas Mehmetit synon që të ofrojë kushte sa më të mira për qasje në financa në Kosovë, duke mundësuar operimin në tregun tonë financiar vetëm të institucioneve të cilat i kontribuojnë stabilitetit dhe zhvillimit të sistemit financiar dhe, rrjedhimisht, edhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.
Mbi këtë bazë, Mehmeti thekson se BQK-ja kishte licencuar edhe dy institucionet e lartpërmendura, të cilat në dokumentacionin përmes të cilit kishin aplikuar dhe në bazë të të cilit i ishte dhënë licenca për të operuar në Kosovë, kishin ofruar planet e tyre se si planifikojnë ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre në Kosovë."
"Sidoqoftë, gjatë këtyre viteve të operimit në tregun tonë, këto institucione në vazhdimësi kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit në bazë të të cilave kishin marrë licencat për të operuar në Kosovë, duke i sjellë kështu tregut tonë diçka tjetër prej asaj që kishin premtuar që do të sjellin."
"Devijimi më i rëndësishëm dhe më shqetësues nga planet e tyre të biznesit, në bazë të të cilave kishin marrë licencën, ka të bëjë me normat e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi, të cilat kanë rezultuar të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në dokumentacionin e aplikimit për kredi, i cili paraqet një element shumë të rëndësishëm në procesin e marrjes së vendimit për aprovimin e licencave për institucionet financiare", ka thënë Mehmeti.
Normat e interesit që kanë aplikuar këto institucione sipas tij janë jashtë çdo standardi, qoftë nëse i krahasojmë me vetë projeksionet e këtyre institucioneve, qoftë në raport me normat e interesit në kredi që aplikohen nga institucionet tjera financiare në vend.
BQK-ja në vazhdimësi sipas Mehmetit është përpjekur që përmes masave të parapara administrative të shtyjë këto institucione që t’i adresojnë këto probleme, por ato nuk kanë rezultuar të suksesshme për shkak të mosgatishmërisë së këtyre institucioneve për të ndërmarrë korrigjimet e nevojshme.
"Për këtë arsye, ne vlerësojmë se këto institucione kanë dështuar t’i sjellin tregut tonë rezultatet e pritura dhe, përkundrazi, me veprimtarinë e tyre kanë rrezikuar aftësinë paguese të huamarrësve dhe me këtë kanë paraqitur rrezik edhe për stabilitetin financiar të vendit."
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të krijojë kushte për rritjen e konkurrencës së shëndoshë në tregun tonë financiar, duke mundësuar një konkurrencë të drejtë ndërmjet institucioneve financiare të cilat sigurojnë rritje të qasjes në financa dhe përmirësim të kushteve të qasjes në financa, por nuk do të lejojë asnjëherë operimin e atyre institucioneve të cilat nuk zbatojnë kërkesat rregullative dhe ligjore të vendit, dhe të cilat shfrytëzojnë kushtet e vështira financiare në të cilat mund të gjendet një pjesë e popullsisë tonë, duke sjellë shërbime të cilat i varfërojnë edhe më tepër dhe e vështirojnë edhe më tepër jetën e tyre.
"Po ashtu, më lejoni të theksoj se ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë që kemi edhe në raport me sigurinë kombëtare të vendit, prandaj ne mbetemi të përkushtuar që në kuadër të fushës sonë të përgjegjësisë, në bashkëpunim me të gjitha autoritetet tjera relevante, të mos lejojmë asnjë aktivitet që mund të cenojë sigurinë tonë kombëtare", ka thënë në fund guvernatori Mehmeti.