08 Nëntor 2024

BQK ndau certifikata për studentët e programit të praktikës profesionale

Prishtinë, 2 shtator - Në kuadër të programit “Praktika profesionale për studentë” Banka Qendrore  e Republikës së Kosovës (BQK) edhe këtë vit u ka mundësuar ndjekjen e  praktikës  profesionale dhjetë studentëve të dalluar të universiteteve të vendit por edhe të atyre që studiojnë jashtë Kosovës.

Objektivi i këtij programi është të tërheqim studentët me rezultate më të larta, të cilët tregojnë një nivel të lartë motivimi, dëshire dhe interesi për të punuar në BQK dhe të ndahet përvoja e stafit të BQK-së me këta studentë.

Për dallim nga vitet e kaluara, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës  këtë vit  ka organizuar praktikën profesionale duke angazhuar drejtëpërdrejt studentët  në realizimin e një projekti studimor të udhëhequr dhe mbikëqyrur  nga  Departamenti i Statistikave.

 Praktika për studentë e realizuar gjatë këtij viti ka pasur si objektiv realizimin e një ankete në tri pika kufitare me target-grup: emigrantët Kosovarë, që kalojnë në këto pika kufitare pas vizitave të tyre në Kosovë. 

Studentët pjesëmarrës brenda muajit gusht 2016 në rolin e anketuesve janë shpërndarë në tri pika doganore të Kosovës për të realizuar anketat me emigrantët  kosovarë, që janë larguar nga Kosova pas vizitave të tyre gjatë sezonës së verës.

Qëllimi i  realizimit të këtij hulumtimi ishte mbledhja e informatave  lidhur me nivelin dhe strukturën e shpenzimeve të jorezidentëve gjatë periudhës së qëndrimit të tyre në Kosovë.

Të ndarë në grupe, studentët kanë arritur të mbulojnë pikat kryesore kufitare dhe nëpërmes këtyre portave të realizojnë  plotësimin e  rreth  tre mijë  pyetësorëve nga qytetarët jorezidentë të Kosovës, që jetojnë në vendet perëndimore, të cilët gjatë anketimit po lëshonin vendin përmes pikave kufitare tokësore dhe nga Aeroporti i Prishtinës.

Këto informata të siguruara përmes anketimit të jorezidentëve do të përdoren si mostër për të vlerësuar nivelin dhe strukturën e shpenzimeve të jorezidentëve gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë. Informatat e grumbulluara do të rritin  kualitetin e vlerësimeve për statistikat e bilancit të pagesave dhe rrjedhimisht, do të kuptojmë më mirë ndikimin  financiar të diasporës në ekonominë e Kosovës.

Me rastin  e përfundimit të praktikës , për nder të punës së treguar dhe përkushtimit gjatë realizimit të kësaj ankete, BQK-ja ka organizuar një ceremoni për ndarjen e certifikave të Praktikës Profesionale për Studentët që ndoqën këtë program. 

Për punën e treguar, disiplinën dhe përkushtimin gjatë kryerjes së  këtij studimi, studentët i ka përgëzuar zëvendësguvernatori, z. Lulzim Ismajli, i cili i ka inkurajuar studentët që  në vazhdimësi  të ndjekin  rrugën e avansimit  profesional dhe akademik , duke shpresuar  që ndonjëri nga ta të jetë pjesë e institucioneve financiare, qoftë në vend apo në institucionet ndërkombëtare,  ku Kosova  është pjesë e tyre. 

Studentët po ashtu  për përvojat e fituara kanë falënderuar stafin e BQK-së, me theks të veçantë Departamentin e Statistikave, ku ishin të sistemuar  për një muaj. Në fund të ceremonisë zëvëndësguvernatori  Ismajli u ka ndarë certifikata të gjithë studentëve pjesëmarrës në këtë ceremoni.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)