BQK-ja publikon statistikat për sektorin financiar
Prishtinë, 6 tetor - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka publikuar statistikat për sektorin financiar për muajin gusht 2014 dhe sektorin e jashtëm për tremujorin e dytë të vitit 2014.
Të dhënat janë publikuar në kuadër të Serive Kohore në faqen e internetit të BQK-së, sipas kalendarit të publikimeve t+25 për sektorin financiar dhe t+90 për sektorin e jashtëm. Statistikat financiare ndër të tjera përfshijnë pasqyrat e korporatave financiare, bilancin e gjendjes së BQK-së, bilancin e gjendjes dhe bilancin e suksesit të bankave komerciale, vlerën e kredive dhe depozitave, normat e interesit për kredi dhe depozita, pasqyrat financiare të korporatave të tjera financiare, etj.
Statistikat e sektorit të jashtëm përfshijnë statistikat e bilancit të pagesave, pozicionit të investimeve ndërkombëtare, dhe statistikat e borxhit të jashtëm të Kosovës. Statistikat e sektorit të jashtëm u publikuan sipas metodologjisë së re të rekomanduar me manualin Bilanci i Pagesave dhe Pozicionit i Investimeve Ndërkombëtare (BPM6), botimi i gjashtë, i Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Implementimi i BPM6 bëhet në të njëjtën kohë me vendet e Bashkimit Evropian. BQK paraprakisht ka publikuar informata dhe shpjegime të nevojshme lidhur me kalimin nga versioni BPM5 në BPM6. Në uebfaqen e BQK-së, në kuadër të menysë Statistikat janë krijuar tri nënmeny të reja: Implementimi i edicionit të ri të Manualit të Bilancit të Pagesave (BPM6) Ndryshimet në trajtim dhe klasifikim sipas BPM6 dhe pyetje të shpeshta lidhur me kalimin nga verzioni MBP5 në MBP6.
Në lidhje me metodologjinë e re BPM6, edhe Banka e Shqipërisë (BSH) ka përgatitë informata shpjeguese të rëndësishme që sqarojnë disa nga ndryshimet kryesore sipas BPM6. Këto informata mund të shkarkohen nga uebfaqja e BSH-së. Dokumenti quhet Publikimi i pasqyrave të statistikave të sektorit të jashtëm sipas M6BP.
Të dhënat e publikuara janë në përputhje me standardet statistikore ndërkombëtare dhe ofrojnë një shkallë të lartë të krahasueshmërisë me ato të vendeve tjera.
Këto informata njëkohësisht publikohen edhe në FMN në kuadër të publikimit Statistikat Financiare Ndërkombëtare (anglisht: International Financial Statistics IFS) dhe në Bankë Botërore në kuadër të publikimit Statistikave Tremujore të Borxhit të Jashtëm (anglisht: Quarterly External Debt Statistics QEDS).