BQK-ja përafron rregullativën ligjore me atë të BE-së
Prishtinë, 20 janar - Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në bashkëpunim me organizatën gjermane, GIZ, kanë organizuar të mërkurën konferencën rajonale, mbi implementimin e shtyllës së dytë të kornizës rregullative të Baselit ICAAP/SREP.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se në fund të vitit normat e kredive joperformuese u zvogëluan në 6.2 për qind në krahasim me 8.3 për qind sa ishin një vit më parë. Sektori bankar po ashtu vazhdon të ketë nivel të lartë të kapitalizimit me treguesit e mjaftueshmërisë së kapitalit prej 19 për qind që është dukshëm më i lartë. Gjendja e likuiditetit vazhdon të jetë e kënaqshme, ka deklaruar Hamza. Sipas tij ky projekt është në vazhdën e mbështetjes së vazhdueshme institucionale që BQK-ja ka marrë nga donatorët ndërkombëtarë, siç janë SHBA-të dhe vendet e BE-së, në rastin konkret Gjermania.
Organizimi i kësaj konference ka për synim të ofrojë një tryezë diskutimesh, e cila do të ndihmojë në afrimin drejt standardeve ndërkombëtare të rregullimit të sektorit bankar sa i përket adekuatshmërisë së kapitalit në proporcion me profilin e rrezikut, duke u përqendruar në vlerësimin nga vetë bankat dhe në rishikimin nga autoriteti mbikëqyrës. Në kushtet dhe në rrethanat bashkëkohore ekonomike dhe financiare në botë, adoptimi i këtyre standardeve po bëhet i pashmangshëm për çdo vend. Për vendet e rajonit tonë, nëpërmjet arritjes së këtyre standardeve, jo vetëm që mbështetet zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit bankar, por edhe plotësohet një pako shumë e rëndësishme e kritereve të kërkuara në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, ka theksuar Hamza. Sipas tij BQK-ja që nga themelimi i saj, në fushën e mbikëqyrjes bankare, ka qenë e orientuar kah standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Ai ka deklaruar se është ndërtuar një shteg i qartë që duhet ndjekur për zhvillimin e mëtejmë të detyrave mbikëqyrëse të BQK-së. Ecja nëpër këtë shteg padyshim se do të ballafaqohet me sfida të ndryshme, mirëpo unë kam besimin e plotë se të arriturat e deritanishme, përkushtimi dhe profesionalizmi i lartë i personelit tonë, së bashku me përkrahjen e vazhdueshme të institucioneve vendore e ndërkombëtare, garantojnë arritjen e suksesshme në cak, ka theksuar ai.
Kurse Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, ka deklaruar se Banka Qendrore e Kosovës (BQK) duhet të jetë e përkushtuar në monitorimin dhe mbikëqyrjen e sektorit bankar, ngaqë, sipas saj, ka sfida të mëdha në këtë fushë. Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë sektorin bankar në rrugën evropiane dhe porositi që BQK-ja duhet të jetë e përkushtuar në monitorimin e këtij sektori, pasi që sipas saj ka sfida të mëdha në këtë fushë, ka deklaruar Viets.
Ndërkaq përfaqësuesi i GIZ-it, James Macbeth ka premtuar përkrahjen e këtij sektori. Sipas tij ky sektor ndikon në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Kjo konferencë, e cila do të zgjasë tri ditë, pritet të shërbejë si një platformë diskutimi lidhur me përvojat dhe sfidat gjatë zbatimit të standardëve nga ekspertët e Bankës Qendrore Evropiane, Bankës Qendrore të Gjermanisë, Autoritetit Gjerman Mbikëqyrës dhe Bankës Sllovene. Konferenca mbahet në kuadër të projektit për zbatimin e Standardeve Ndërkombëtare, ICAAP/SREP, të përkrahura nga Ministria Federale e Republikës së Gjermanisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Projektin për Zbatimin e Standardeve Ndërkombëtare në kuadër të mbikëqyrjes bankare, i cili implementohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, në emër të Ministrisë Federale të Republikës së Gjermanisë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, shkruan gazeta \"Epoka e re\".
Qëllimi i rregullativës së Bazelit është të ndërtojë një strukturë të mirorganizuar të rregullimit të kapitalit, të mbikëqyrjes dhe të disiplinës në tregun bankar, si edhe të përmirësojë menaxhimin e mëtejshëm të riskut të stabilitetit financiar.