BQE ul interesin bazë në 1 për qind
Frankfurt, 10 dhjetor - Banka Qendrore Europiane uli dje normën bazë të interesit nga 1.25 në 1 për qind, ndërsa vendosi të japë për bankat kredi me afat trevjeçar, një lëvizje që pritet të ndihmojë bankat e kontinentit të mbeten likuide.
Ulja e djeshme është e dyta brenda dy muajve të fundit. Shpeshtësia e uljes konsiderohet e pazakontë për BQE-në, një institucion i konsideruar gjithmonë si konservator.
Vendimi është simbol i gatishmërisë së guvernatorit të ri, italianit Mario Draghi, për të toleruar inflacionin në kontinent për hatër të lehtësimit të krizës aktuale, si dhe dëshmi e shkallës së problemeve që ka shkaktuar për bankat e kontinentit kriza e borxheve sovrane në Greqisë, Italisë e Spanjës.
BQE vendosi dje gjithashtu tu japë bankave kredi me afat tre vjet, ndërkohë që deri tani u jepte kredi me afat një vit. Media ndërkombëtare raporton për interes të lartë nga bankat e kontinentit për të përdorur lehtësitë e ofruara, për shkak të vështirësive në likuiditet të hasura së fundmi.
Norma bazë e interesit është çmimi që bankat paguajnë për të marrë hua nga banka qendrore. Ulja e normës bazë të interesit e bën më të lehtë për bankat të kreditojnë ekonominë, gjë që sjell edhe rritje të konsumit.
Por në total, më shumë para në qarkullim nënkupton një inflacion më të lartë. Inflacioni në Eurozonë është aktualisht 3 për qind, një nga normat më të larta të para gjatë dekadës së fundit.