15 Maj 2024

BQE u ofron likuiditet bankave në Eurozonë

Frankfurt, 24 dhjetor - Banka Qendrore Evropiane të mërkurën hodhi gati 500 miliardë euro në sektorin bankar evropian. 523 banka iu drejtuan ofertës së bankës emetuese evropiane, për të siguruar kredi trevjeçare me normë të ulët interesi.

Në luftën kundër kërcënimit nga një ngushticë e re kredish, Banka Qendrore Evropiane (BQE) u ka ofruar bankave në Eurozonë likuiditet me një injeksionin të pashembullt parash prej rreth 500 miliardë eurosh.

Më shumë se 520 institute kredie kanë kërkuar të përfitojnë nga linja e kredisë me një afat trevjeçar dhe normën e interesit të BQE-së, bëri të ditur vetë banka të mërkurën.

Kërkesa shumë e madhe prej rreth 489 miliardë eurosh habiti edhe vetë ekspertët, të cilët llogarisnin me 310 miliardë euro.
 
Michael Kemmer, drejtuesi i shoqatës së bankave gjermane mendon se ky aksion do të ndihmojë në shtimin e besimit në sektorin bankar: "Bankat i kanë dhënë pak para njëra-tjetrës, i gjithë tregu ishte shumë i tensionuar. Përmes masës së Bankës Qendrore Evropiane, për t'u vënë bankave në dispozicion një linjë kredie me afat të gjatë dhe normë të butë interesi, do të rritet sërish besimi."

Edhe ekonomistë të tjerë nga sektori bankar u shprehën pozitivisht. Eksperti i bankës Commerzbank Michael Schubert vlerësoi pozitivisht që një numër kaq i madh bankash e shfrytëzuan mundësinë e rifinancimit afatgjatë.

 Sfondi i aksionit të Bankës Qendrore Evropiane është kriza e borxheve në Eurozonë. Bankat evropiane i pret një valë gjigante rifinancimi, pasi përfundon afati i maturimit për rreth 725 miliardë euro borxhe, të cilat duhen kthyer ose u duhet zgjatur afati.

Vetë shefi i BQE-së Mario Draghi paralajmëroi në fillim të javës (20.12.'11) për një vit tejet të vështirë për bankat. Veçanërisht në tremujorin e parë të vitit, bankat do ta kenë të vështirë të sigurojnë likuiditet. Kjo mund të sillte një ngushticë kredish që mund ta zhyste gjithë Evropën në një recesion, deklaroi Draghi.

Banka Qendrore Evropiane me linjën e kredisë për bankat synon të arrijë dy qëllime njëherësh: të shmangë ngushticën e kredive dhe të gjallërojë kërkesën për obligacione shtetërore në Eurozonë, dhe kështu uljen e normave të interesit.

Jo vetëm BQE por edhe politikanët shpresojnë që bankat të përdorin një pjesë të parave nga linja e kredisë për blerjen e obligacioneve shtetërore të vendeve të Eurozonës.

Oferta e BQE-së duket fitimprurëse: në formën e një transaksioni të ashtuquajtur "carry trade" i cili bazohet në diferencat në normat e interesit, bankat do t'i investonin paratë e marra me interes të ulët nga BQE në obligacione shtetërore të vendeve me borxhe të larta, të cilat ofrojnë norma shumë më të larta interesi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)