BQE-së i kërkohet të bëjë gjithçka që duhet për shpëtimin e Euros
Frankfurt, 2 gusht - Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, po përballet me presion të shtuar të investitorëve, liderëve evropian dhe Washingtonit zyrtar rreth realizimit të premtimit për të bërë gjithçka që duhet në shpëtimin e Euros.
Takimi i së enjtës konsiderohet të jetë testi kryesor për Draghin gjatë nëntë muajve të punës së tij.
BQE-së i ka mbetur pak hapësirë për ta mbajtur kredibilitetin dhe për të parandaluar rritjen e kostove të huave për vendet e zhytura në borxh si Greqia, Italia dhe Spanja.
Në javën e kaluar, Draghi tha se banka është e gatshme të bëjë çkado që nevojitet për ta shpëtuar Euron.
Analistët thonë se mosveprimet eventuale gjatë së enjtës mund të shkaktonin një rritje të sërishme të kostove të huave.
Sekretari i Thesarit Amerikan, Timothi Gejtner, ka theksuar nevojën që Eurozona të ndërmarrë veprime konkrete në uljen e kostove të huave për vendet e saja të zhytura në borxh.