BQE rrit normën e interesit në nivelin më të lartë
Frankfurt, 27 tetor - Banka Qendrore Evropiane rriti sot normat e interesit me 75 pikë bazë, që është rritja e tretë e madhe radhazi, duke e çuar koston e huamarrjes në nivelin më të lartë në më shumë se një dekadë, për t'u përballur me inflacionin rekord të eurozonës.
“Inflacioni mbetet shumë i lartë dhe do të qëndrojë mbi objektivin për një periudhë të gjatë”, thuhet në deklaratën e bankës.
Në shtator, inflacioni i zonës së euros arriti në 9,9 për qind, ndërsa rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, pengesat në furnizim dhe rimëkëmbja e kërkesës pas pandemisë shkaktuan presione ndaj çmimeve.
“Norma e interesit për operacionet kryesore të rifinancimit dhe normat e interesit për kredinë margjinale dhe atë të depozitave do të rriten përkatësisht në 2,00 për qind, 2,25 për qind dhe 1,50 për qind, që nga 2 nëntori 2022”, thuhet në njoftim.
Banka gjithashtu njoftoi se po ndryshon kushtet dhe dispozitat e operacioneve të saj të synuara të rifinancimit afatgjatë, ose TLTRO - një instrument që u mundëson bankave evropiane kushte tërheqëse huamarrjeje, që është themeluar për nxitjen e kreditimit për ekonominë reale.
"Këshilli Drejtues ... vendosi të rregullojë normat e interesit të zbatueshme për TLTRO III nga 23 nëntori 2022 dhe t'u ofrojë bankave data shtesë vullnetare të ripagimit të parakohshëm", tha BQE.
“Me qëllim të harmonizimit të kompensimit të rezervave minimale që mbajnë institucionet e kreditit me Eurosistemin të përshtatura më mirë me kushtet e tregut të parasë, Këshilli Drejtues vendosi të përcaktojë kompensimin e rezervave minimale me normën e BQE-së për lehtësirat e depozitave”, tha banka.