BQE, programi i riblerjes së bonove ka pasur efekte pozitive
Frankfurt, 13 qershor - "Programi i riblerjes së bonove nga Banka Qendrore Evropiane ka pasur efekte pozitive të dukshme në zonën Euro", deklaroi të martën Jorg Asmussen, anëtar drejtues i BQE-së, përpara Gjykatës Kushtetuese gjermane.
"Pothuajse një vit pas shpalljes së programit të riblerjes së bonove, efektet pozitive janë të dukshme", tha Asmussen.
Zyrtari i BQE raportoi para gjykatës së lartë në Karlsruhe që heton prej 10 ditësh mekanizmat e kursimit të zonës Euro dhe përputhshmërinë e tyre me ligjin gjerman.
Guvernatori i Bankës Qendrore Gjermane, veçanërisht skeptik në lidhje me këtë program, është paraqitur gjithashtu përpara gjykatës.
"Shpallja e programit të riblerjes së bonove është një fazë e përshtatshme për eliminimin e skepticizmit mbi politikat monetare evropiane", tha Jörg Asmussen.
"Mosreagimi ynë do të përbënte një rrezik edhe më të madh", shtoi ai.
Ai theksoi se BQE nuk financonte direkt shtetet evropiane dhe nuk përpiqej të zëvendësonte qeveritë e tyre.
"Nuk kemi asnjë dyshim se ky sinjal i fortë ishte i nevojshëm për të bindur tregjet për seriozitetin dhe vendosmërinë tonë në lidhje me stabilitetin e çmimeve. Në të njëjtën kohë, është e qartë se programi do të zbatohet për një kohë të kufizuar", theksoi Asmussen.
Gjykata e Karlsruhes do të marrë një vendim në muajt e ardhshëm.