BQE nis kontrollin e bankave evropiane
Frankfurt, 24 tetor - Banka Qendrore Evropiane (BQE) njoftoi nisjen e një kontrolli për të verifikuar shëndetin e bankave kryesore huadhënëse, që operojnë në Eurozonë.
BQE-ja, e cila në janar të vitit 2014 merr rolin e mbikëqyrësit, ashtu siç e parashikon marrëveshja e arritur prej muajsh ndërmjet vendeve të Bashkimit Evropian, thotë se testet e stresit do të ndihmojnë në zbulimin e rreziqeve potenciale.
Sipas planit, bankave me humbje mund tu kërkohet balancimi i hyrje-daljeve. Presidenti i BQE-së, Mario Dragi tha se testi i stresit do të zhvillohet tek bankat më të mëdha, që operojnë në Eurozonë, të cilat mbulojnë rreth 85 për qind të sistemit bankar të njësisë së përbashkët monetare.
Ne besojmë se ky hap do të forcojë besimin tek sektori bankar dhe balancat e gjithë sistemit, tha Dragi.
Testi do të nisë në muajin nëntor dhe pritet të përfundojë pas një viti, me synimin e rritjes së transparencës së sistemit, riparimit dhe rikthimit të besueshmërisë së tij.
Në listën provizore, ku do të kryhet testi i stresit, përfshihen 24 banka në Gjermani, 16 banka në Spanjë, 15 në Itali, 13 në Francë, 7 në Holandë, 5 në Irlandë dhe nga 4 në Greqi, Qipron e Jugut dhe Portugali.