BQE merr një sërë masash stimuluese për të luftuar pasojat ekonomike
BQE e mbajti normën bazë të depozitave të pandryshuar në nivele rekord minimale historike prej minus 0.5 për qind, por tha se do të blejë 120 miliardë euro obligacione më shumë deri në fund të këtij viti, përveç angazhimit të saj ekzistues për të blerë 20 miliardë euro në muaj.
Ekonomistët vlerësojnë se shkalla e programit të lehtësimit sasior të BQE-së do të rritet në 33 miliardë euro në muaj për pjesën e mbetur të këtij viti.
Shefja e BQE-së, Christine Lagarde tha se blerja e mëtejshme e aseteve do të fokusohej në tregjet e obligacioneve të koorporatave, por banka qendrore do të ruante fleksibilitetin në mënyrën se si ajo i blen asetet.
Banka qendrore tha se do të prezantonte një program të ri të huave të lira për bankat, në mënyrë që t’i nxiste ato që të vazhdonin të kreditonin biznesin e vogël.
Operacionet e saj ekzistuese të synuara për rifinancimin afatgjatë do të jenë “në mënyrë të konsiderueshme më të favorshme”, duke i ofruar bankave hua me norma më të ulëta se norma e depoztave nën zero të BQE-së dhe që mund të jenë të lira deri në minus 0.75 për qind.
Ky vendim, e bën BQE-në bankën e parë qendrore që operon me një sistem të tillë me “dy norma”, që në fakt subvencionon bankat, duke u dhënë atyre hua me norma më të ulëta sesa ato paguajnë për depozitat në para në bankën qendore.
Si reagim ndaj thirrjeve të bankave për autoritetet, që kërkuan lehtësimin e kritereve të kapitalit në mënyrë që t’u mundësonte atyre që të asorbonin goditjet e pritura nga virusi, BQE tha se do t’i lejonte huadhënësit që “të përdornin plotësisht kapitalin dhe amortizatorët e likuiditetit” që ishin parashikuar për periudha të vështira.
Lagarde tha që koronavirusi ishte “një tronditje e madhe” për perspektivat e rritjes së eurozonës. Do të ketë një ndërprerje të konsiderueshme në aktivitetin ekonomik, veçanërisht një ngadalësim të prodhimit dhe një ulje të kërkesës së brendshme dhe të huaj, tha ajo, duke bërë thirrje për veprim fiskal nga qeveritë.
“Është e nevojshme një përgjigje ambicioze dhe e koordinuar e politikës fiskale për të mbështetur bizneset dhe punëtorët në rrezik,” tha zonja Lagarde, duke shtuar se përhapja e virusit do të kishte një “ndikim domethënës” në eurozonë dhe ekonomitë globale, edhe sikur të ishte “E përkohshme për nga natyra”.
Presioni ishte në rritje që BQE të ndërmerrte veprime pasi Banka e Anglisë dhe Rezerva Federale e Sh.B.A.-së njoftuan ulje emergjente të normave të interesit dhe masa të tjera në përgjigje të ndikimit ekonomik të koronavirus ditëve të fundit.