BQE mban të pandryshuar normën e interesit
Frankfurt, 8 shkurt - Banka Qendrore Evropiane (BQE) vendosi të mbajë të pandryshuar normën e interesit duke e lënë në 0.
75 përqind, norma më e ulët historike e këtij institucioni. Vendimi për të mos ndryshuar këtë normë pritej gjërësisht nga analistët, ndërkohë që shumë prej tyre presin që kjo normë të mos ndryshojë, të paktën deri në fillim të vitit të ardhshëm.
Hera e fundit që BQE uli normën e interesit ishte korrik i vitit të kaluar ku nga 1 përqind shkoi në 0.75 përqind.
Kreu i BQE-së, Mario Draghi në një konferencë për mediat foli për rritje të besimit të investitorëve, por vuri theksin që të mos neglizhohet situata ekonomike në Eurozonë, që ai e quajti të brishtë.
Për Mario Draghi-n një tregues i rritjes së besimit të biznesit dhe bankave të nivelit të dytë është rritja e huave të kthyera tek Banka Qendrore Europiane. Kjo tregon, tha ai, që bankat janë më pak të pasigurta se sa ishin një vit më parë.
Dy javë më parë, BQE deklaroi se disa prej bankave që morën hua me norma të ulta interesi për të shpëtuar nga falimentimi do të rikthejnë 137.16 miliard euro.
Nga dhjetori i 2011 deri në shkurt të 2012-ës Banka Qendrore Europiane shpërndau rreth 1 triliard euro hua me interesa të ulta për 80 banka në zonën e Bashkimit Europian.