BQE: Kriza financiare nuk është tejkaluar ende
Bruksel, 6 shtator - Kriza financiare ende nuk është tejkaluar në tërësi, vlerësuan përfaqësuesit e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Atanasios Orfanidhis dhe Jose Manuel Gonzales-Paramo në fjalimet gjatë një konference ekonomike që po mbahet në qytetin qipriot, Limasol.
"Arritëm të evitojmë një katastrofë si ajo e viteve '30 të shekullit të kaluar, por megjithatë duhet të themi qartë se akoma nuk jemi "mbi ujë"", deklaroi Orfanidhis, i cili është guvernator i Bankës Qendrore Qipriote dhe anëtar i Këshillit ekzekutiv të BQE-së.
Qëndrim të ngjashëm paraqiti edhe kolegu i tij Gonzales-Paramo, i cili vlerësoi se shumë banka do të mund të bëheshin të varfra nga "paratë e lira" që jep BQE-ja për mbështetje të tregjeve financiare.
"Ekziston rreziku që ndihma për mbështetje të tregjeve financiare gradualisht të shndërrohet në varësi të përhershme të bankave nga financimi nga BQE-ja. Një zhvillim i tillë i ngjarjeve mundet të shtojë rrezikun duke përfshirë edhe vetë BQE-në", theksoi Gonzales-Paramo.
Sipas tij, nëse teprica e likuiditetit nuk fillon të tërhiqet në mënyrë efektive nga tregu në momentin e duhur, atëherë ajo mund të shkaktojë rritje të inflacionit.