Borxhi shqiptar, në dorë të britanikëve

Tiranë, 17 mars - Borxhi 300 milionë euro që do të merret në maj të këtij viti do të menaxhohet nga një kompani londineze, falë marrëveshjes së lidhur me Ministrinë e Financave.
White&Case është gjigandi amerikan me histori 100-vjeçare në tregun e konsulencës ligjore dhe financës, me degë në 35 vende, mes tyre edhe në Angli.
Pikërisht ky filial ka fituar të drejtën e konsulencës për emetimin e eurobondit me vlerë deri në 350 milionë euro, tenderi i së cilës u zhvillua në javën e fundit të muajit shkurt, por që Ministria e Financave e publikoi këto ditë.
Për këtë shërbim, shoqëria do të paguhet me rreth 135 mijë dollarë, nga 170 mijë që ishte vlera fillestare në tender, ndërsa kualifikimi i britanikëve të White&Case erdhi pas fazës së dytë.
Sakaq, Ministria e Financave ka mandatuar dy banka që do të udhëheqin eurobondin e parë shqiptar.
Ato janë amerikanët e JP Morgan dhe gjermanët e Deutsche Bank, kompanitë lider në tregjet financiare.
Pas një procesi vlerësimi që kaloi në dy faza nga 15 banka pretendente, u përzgjodhën këto dy banka për emetimin e eurobondit në tregun ndërkombëtar të kapitaleve. Ministria gjithashtu i ka kërkuar Rafeissen Bank të suportojë transaksionin, në rolin e mbështetësit (Co-Lead Manager).
Ministria e Financave ka sqaruar dje se interesimi i institucioneve ndërkombëtare për këtë proces ka qenë i jashtëzakonshëm. Një numër befasues bankash (15 të tilla) me shumë reputacion në tregjet e kapitaleve, paraqitën ofertat e tyre shumë agresive për të udhëhequr transaksionin.
Në fazën e dytë kaluan 6 banka (JP Morgan, Deutsche, Raiffeisen, HSBC, BNP Paribas dhe Credit Suisse), të cilat konkurruan me njëra-tjetrën përmes një testimi të zhvilluar në Ministrinë e Financave.