Borxhi i Shqipërisë, më i larti në Europën Qendrore dhe Lindore
Tiranë, 14 nëntor - Sipas statistikave nga organizmat e huaja ndërkombëtare, qeveritë e Shqipërisë kanë kontribuar negativisht në nivelin e borxhin publik, duke e çuar atë në kuota tepër të larta.
Të dhënat deri në shtator 2011, nga World Economic Outlook paraqesin renditjen e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, nga ku mësohet se Shqipëria zë vendin e dytë (pas Hungarisë) për nivelin e borxhit, rreth 59.4 për qind, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Borxhi i Shqipërisë ka ardhur duke u rritur, ku goditjen e ka marrë në vitin 2009, me rritje gati 5 pikë përqindje. Sipas Forumit që ka kryer studimin, mesatarja e vendeve ka një borxh prej 43.6 përqindësh të PBB-së, pra shumë larg raportit që paraqet Shqipëria.
Argumenti i qeverisë për situatën e krijuar lidhet me rritjen mesatare të borxhit në 4 vitet e fundit, e cila është 4.3 për qind, niveli më i ulët ndër vendet e EQL-së (përjashto Turqinë, me rritje mesatare 0.9 për qind).
Skenarët për vitin tjetër flasin për një rritje edhe më të madhe të borxhit, duke e çuar stokun publik deri në 838 miliardë lekë, ndërsa për shërbimet ndaj tij, do të dalin nga arka e shtetit 58 miliardë lekë, ose sa 3.6 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në mënyrë më analitike nga analiza e interesave të borxhit të brendshëm rezulton se këto interesa rriten me rreth 2,3 miliardë lekë nga obligacionet, ku ndikimin më të madh e ka shtesa e obligacioneve 2 dhe 5-vjeçare me 1,9 miliardë lekë, ndërsa obligacionet 3-vjeçare rriten më pak, me rreth 400 milionë lekë.