Borxhi i Maqedonisë arrin në rreth 5 miliardë euro
Shkup, 21 korrik - Maqedonia ka marrë një borxh të ri prej 450 milionë euro duke e çuar kështu borxhin e saj të përgjithshëm në rreth 5 miliardë euro.
Borxhi i ri është realizuar përmes bonove të thesarit dhe duhet të kthehet brenda 7 viteve me një kamatë vjetore prej 5.6 për qind, apo pas kësaj periudhe Maqedonia duhet të kthejë gjithsej 770 milionë euro.
Qeveria thotë se marrja e borxhit ishte e detyrueshme për të ruajtur stabilitetin ekonomik dhe likuidimin financiar për paga, pensione, pagesa sociale dhe transferta të tjera financiare.
Paratë nga shitja e bonove të thesarit do të shfrytëzohen për nevoja buxhetore gjatë viteve 2016 dhe 2017, si dhe për pagesën e borxheve të vjetra. Ekipi qeveritar ka arritur të sigurojë fonde të rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe ritmin e zhvillimit të ekonomisë maqedonase, thuhet në sqarimin me shkrim të Ministrisë së Financave.
Qeveria thotë se kredia e re do të mund të sigurohet me kushte edhe më të mira sikur të mos ishin siç thuhet obstruksionet e opozitës.
Por, Lidhja Social Demokrate ka hedhur poshtë pretendimet e pushtetit duke e akuzuar qeverinë për shkatërrimin dhe falimentimin e ekonomisë së Maqedonisë.