16 Nëntor 2024

Borxhi i jashtëm i qeverisë së Shqipërisë rritet në 425 milionë euro

Tiranë, 14 shtator - Borxhi i jashtëm i qeverisë së Shqipërisë u rrit me 425 milionë euro ose mbi 18 për qind në harkun kohor të një viti, duke shënuar një nga rritjet më të forta gjatë viteve të fundit.

Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të dytë, borxhi i jashtëm publik arriti në 2 miliardë e 807 milionë euro nga 2 miliardë e 383 milionë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas bankës, rritja i dedikohet kredive që Shqipëria ka marrë nga institucionet ndërkombëtare të financave si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

Sapo erdhi në pushtet, qeveria e majtë kontraktoi nga këto dy institucione një paketë emergjente kredish me mbi 600 milionë euro, para të cilat sipas saj ishin të nevojshme për të shlyer borxhet e prapambetura që la qeveria e mëparshme.

Aktualisht borxhi i jashtëm përbën rreth 42.6 për qind të totalit të borxhit publik të vendit, ose i shprehur si raport ndaj prodhimit kombëtar, rreth 29.1 për qind.

Vitet e fundit financimi me kredi nga jashtë është parë si një mënyrë e mirë për të siguruar valutë, por edhe për të financuar ekonominë pa prekur burimet e brendshme.

Por rritja e tij e ekspozon ekonominë përballë dy rreziqeve: kursit të këmbimit dhe riskut të rifinancimit. Vitin e kaluar vetëm për shkak të dobësimit të lekut, veçanërisht ndaj dollarit, borxhi i vendit u rrit me 9.6 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, rritja e vazhdueshme e borxhit të marrë nga jashtë ka rritur edhe pagesat që shkojnë për shërbimin e tij.

Vitin e kaluar buxheti pagoi 26 miliardë lekë, ose mbi 200 milionë dollarë për të shlyer borxhin e jashtëm, nga të cilat 17.8 miliardë lekë ishin shlyerje të kredive që janë marrë në vitet e mëparshme, ndërsa 8.2 miliardë lekë ishin interesa.

Një pjesë e kredive që Shqipëria ka marrë vitet e para të tranzicionit tani janë duke u maturuar dhe duhet të shlyen mbrapsht. Bashkë me interesat që paguhen për stokun ekzistues të kredive nga jashtë, kjo e vendos buxhetin përballë nevojës për të siguruar fonde në valutë.

Për të minimizuar këtë risk, në strategjinë për menaxhimin e borxhit, qeveria është angazhuar që të mos e rrisë raportin e borxhit të jashtëm mbi kufirin 45 për qind të totalit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)