Bordi i ri i AKP-së zgjidhet në shtator
Prishtinë, 23 korrik - Anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) të dielën (22 korrik) u ka përfunduar mandati. Deri në zgjedhjen e bordit të ri udhëheqja e AKP-së mbetet në duart e menaxhmentit të AKP-së.
Edhe pse mbeten shumë punë në duart e menaxhmentit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), drejtori i kësaj agjencie, Shkëlzen Lluka, i ka thënë gazetës \"Epoka e re\", se punët do të kryhen sipas planeve që i ka paraparë menaxhmenti. Punët në menaxhment mbeten gjithmonë në intensitetit të lartë dhe kryhen me përkushtim të madh nga stafi dhe menaxhmenti i AKP-së, ka deklaruar ai.
Lluka ka deklaruar se deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të bordit nuk do të paraqitet ndonjë problem, sepse duke u nisur nga praktika e deritashme AKP-ja gjatë muajit gusht nuk mban mbledhje, pasi është kohë e pushimeve. Ai ka shfaqur shpresën se shumë shpejt do të zgjidhen anëtarët e rinj të këtij bordi. Besoj se anëtarët e bordit të ri do të zgjidhen së shpejti, në mënyrë që ky bord të jetë funksional për takimin e muajit shtator, ka deklaruar ai.
Deri më tani Bordi i AKP-së i ka pasur 8 anëtarë, 5 prej të cilëve i ka emëruar Kuvendi, ndërsa 3 kanë qenë ndërkombëtarë të emëruar nga përfaqësuesi civil ndërkombëtar (PCN). Por, me ndryshimet kushtetuese, pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur, parashihet të ketë ndryshime edhe në përfaqësimin e Bordit të AKP-së.
Bordi i AKP-së është udhëhequr nga Dino Asanaj, i cili vdiq muaj më parë, në rrethana ende të pasqaruara krejtësisht, kurse anëtarë të tjerë vendorë të këtij bordi që janë zgjedhur nga Kuvendi ishin: Haxhi Arifi, Bahri Shabani, zëvendëskryeministri Sllobodan Petroviq dhe Naser Osmani.
Bordi i ri i cili do të zgjidhet do të ketë shumë punë për të bërë. Ndër to janë ritenderimi i hotelit Grand dhe çështja e ndërmarrjes Trepça.