Biznezet u kanë dhënë rishfet zyrtarëve publik
Ky Raport është ndërtuar nga UNODC-ja, respektivisht ekspertët e kësaj organizate lidhur me këtë fushë, të cilët kanë përcaktuar metodologjinë dhe përpunimin e këtyre të dhënave.
Ndërkaq, ASK-ja ka qenë mbështetëse e këtij projekti, ndërsa financuese ka qenë BE-ja. Më tej, ai foli rreth përfituesve të këtij raporti, e në veçanti për rritjen e kapaciteteve profesionale që ka përfituar ASK-ja nga UNODC-ja në përvojën metodologjike dhe analitike statistikore.
Kjo anketë e bizneseve private në Kosovë nxjerr në pah se korrupsioni dhe format e tjera të krimit janë një pengesë e madhe për ndërmarrjet private, dhe se kanë një efekt negativ në investimet private.
Një përqindje e konsiderueshme e bizneseve iu paguajnë ryshfet zyrtarëve publikë, në mënyrë të përsëritur, gjatë gjithë vitit. Bizneset, në sektorët e prodhimit industrial, të furnizimit me energji elektrike, gaz dhe ujë, janë më të prekurit nga ryshfeti, të pasuar nga bizneset në sektorin e tregtisë me shumicë dhe të tregtisë me pakicë.
Zyrtarët publikë, me rrezik më të lartë të ryshfetit në bashkëveprim me bizneset, janë: zyrtarët e doganave, zyrtarët tatimorë/të hyrave, zyrtarët komunalë ose provincialë.
Në këtë Konferencë, Zëvendësshefi për Bashkëpunim i Zyres së Bashkimit Evropian në Kosovë, Melvin Asin përmendi gjetjet kryesore të këtij raporti, duke potencuar përparimin në miratimin e legjislacionit të ri dhe ndryshimin e ligjit ekzistues, si dhe adresimin e nevojave dhe matjeve, duke përfshirë detyrat sfiduese që kanë përpara autoritetet e Kosovës.
Mandej, ai përmendi edhe bashkëpunimin dhe koordinimin e kufizuar nga ana e autoriteteve të ndryshme përgjegjëse për zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale të veprave të korrupsionit, si dhe mungesën e qasjes proaktive në hulumtimin e korrupsionit.
Të gjitha këto, duket të jenë disa nga pengesat kryesore për efektivitetin dhe arsyet kryesore për një numër shumë të ulët të dënimeve për korrupsion.
Nga ana tjetër, Blerim Kelmendi nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, përgëzoi për publikimin e këtij raporti, për të cilin tha se Agjencia e tyre është e impresionuar me të gjeturat reale, me të cilat pajtohen plotësisht.
Njëherit ai kërkoi që këto të gjetura ti vëmë në veprime konkrete, duke i përcaktuar prioritetet dhe duke i mënjanuar mangësitë e konstatuara.
Një prezantim më të detajuar, lidhur me këtë raport, duke paraqitur në grafiqe edhe krahasueshmërinë me vendet e rajonit, e bëri përfaqësuesi i UNODC-së, Z. Michael Jandl.
Ndër të tjera, ai tha se Anketa përqendrohet në masën dhe modelin e ryshfetit sipas bizneseve, nga pesë sektorë të ndryshëm (të llogaritur për rreth 79.7% të të gjitha bizneseve në Kosovë) në bashkëveprimet e tyre të shpeshta me administratën publike.
Sipas Anketës, nga të gjitha bizneset, që kanë pasur kontakt me një zyrtar publik, në 12 muajt para anketës, 3.2% e tyre i kanë paguar ryshfet një zyrtari publik.
Përhapja mesatare e ryshfetit të biznesit në Kosovë është më e ulët sesa përqindja e qytetarëve të zakonshëm të Kosovës (11.1%), të cilët janë sprovuar me të njëjtën gjë në Anketën e UNODC-së, të vitit 2011, për popullsinë e përgjithshme.
Një përqindje e konsiderueshme e gjithë ryshfetit, që u është paguar zyrtarëve publikë, nga bizneset në Kosovë, është paguar në para të gatshme (59.2%), pasuar me sigurimin e ushqimit dhe pijeve, në këmbim të një favori të paligjshëm nga ana e zyrtarit publik (58.4%) dhe të mira ose përfitime të tjera (12.1%).
Kur ryshfeti është paguar me para të gatshme, shuma mesatare e paguar për ryshfet është 844 Euro, ose ekuivalente e 1,787 EUR-PFB.
Qëllimet më të shpeshta të pagesës së ryshfetit, të cilat janë përmendur nga bizneset, janë: për ti përshpejtuar procedurat lidhur me biznesin (28.4% e gjithë ryshfetit); marrja e një trajtimi më të mirë (14.7%); dhe mundësimi i finalizimit të procedurës (13.1%).
Në të njëjtën kohë, pothuajse një e katërta e ryshfetit të paguar (23.9%) nuk shërben për asnjë qëllim të veçantë të bizneseve, që e paguajnë atë. Këto lloje të ryshfetit konsiderohen si ëmbëltues, që iu jepen zyrtarëve publikë për tu përkujdesur për ta, gjatë bashkëveprimeve të ardhshme në interes të kompanisë.
Ndërsa, 3.7% e ryshfetit të paguar nga bizneset është raportuar te autoritetet zyrtare, kryesisht në polici, që tregon se bizneset në Kosovë shpesh ndihen të detyruar të marrin pjesë në ryshfet.
Kjo është reflektuar edhe në arsyet kryesore, të përmendura, për mosraportimin e ryshfetit: e pakuptimtë të raportohet pasi askujt nuk do t\'i interesonte (28.2%); frika nga hakmarrja (19.2%); dhe pagesa ose dhurata është dhënë si një shenjë mirënjohjeje (19.4%).
Megjithëse, më e ulët sesa përhapja e ryshfetit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, me 0.6%, përhapja e ryshfetit biznes-me-biznes tregon se kjo praktikë ekziston në Kosovë.
Për dallim prej korrupsionit, një pjesë e madhe e krimeve të zakonshme (mesatarisht 59.3% për pesë lloje të krimit) është raportuar në polici nga bizneset në Kosovë.
Përderisa, shumica e përfaqësuesve të biznesit (70.5%) konsiderojnë se rreziku nga krimi për kompaninë e tyre ka mbetur i qëndrueshëm në krahasim me 12 muajt e kaluar. Pothuajse, një në dhjetë (9.8%) mendojnë se krimi është në rritje dhe 16.2% mendojnë se është në rënie.
Kurse, në fjalimin e saj, Shqipe Neziri nga UNDP-ja, përmendi bashkëpunimin e mëtutjeshëm që do ta kenë UNODC-ja me UNDP-në edhe përgjatë tri viteve të ardhshme për ta rritur aftësinë e Sistemit Gjyqësor për ta luftuar korrupsionin brenda dhe jashtë sistemit gjyqësor.
Ajo përmendi edhe institucionet e tjera kosovare si pjesë të këtij projekti.