Biznesmenët Italian premtojnë investime në Mitrovicë
Assis, 6 mars - Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, në vazhdën e takimeve që po zhvillon me kryetarë komunash dhe biznesmenë të ndryshëm në Itali, me qëllim të tërheqjes së investitorëve të mundshëm, ka zhvilluar edhe dy takime tjera të rëndësishme.
Me këtë rast, kryetari Bahtiri është pritur nga kryetari i Komunës Assis, Ricci Claudio dhe kryetari i Komunës së Gabicce Mare, Corrado Curti si dhe nga shumë biznesmenë të atij rajoni.
Gjatë kësaj vizite, rreth 60 biznesmenë dhe afarist të ndryshëm italian kanë shprehur vullnetin e tyre për të investuar në Mitrovicës, kryesisht në fushat e bujqësisë, agrokulturës, industrisë ushqimore etj.
Kryetari i Komunës Assis, Ricci Claudio i ka premtuar mbështetje të pakursyer në aspektin ekonomik, por edhe në shumë aspekte të tjera kryetarit Bahtiri, Komunës së Mitrovicës dhe qytetarëve të saj.
Ne do tju ndihmojmë dhe do tju mbështesim në të gjitha aspektet. Unë jam i lumtur që për vizitë kam një kryetar dhe një delegacion të tillë, të cilët kanë vizion të qartë për zhvillimin e qytetit të tyre, ka theksuar kryetari Claudio.
Po ashtu delegacioni i Komunës së Mitrovicës i përbërë edhe nga nënkryetari Safet Kamberi, drejtori për Shërbime Publike, Blerim Baruti dhe ai për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Sami Zeka, është pritur edhe nga kryetari i Komunës së Gabicce Mare, Corrado Curti.
Në këtë takim ku ishin prezentë edhe shumë biznesmenë, u bisedua për resurset e mëdha natyrore dhe humane që ofron Komuna e Mitrovicës për investitorët e huaja.
Kryetari Bahtiri biznesmenëve të pranishëm u premtojë siguri dhe lehtësira në investimet e tyre.
Me krijimin e Zonës së lirë ekonomike do të hapet një perspektiv e re ekonomike në Mitrovicë. Komuna e Mitrovicës ka resurse të mëdha njerëzore e natyrore që do të ishin shumë atraktive për investitorët e huaj. Ne do të bëjmë krejt çka është e mundur që investimet e huaja në Mitrovicë të përkrahen, ka thënë Bahtiri, duke i ftuar investitorët italianë për të investuar në Komunën e Mitrovicës
Ndryshe, autoritetet komunale ditë më parë kanë vizituar edhe Komunën e Peruxhes dhe kanë takuar biznesmen të atij rajoni, ku poashtu temë diskutimi ishte mundësia e investimeve italiane në Mitrovicë, përkatësisht resurset, kushtet dhe mundësit që ofron Komuna e Mitrovicës për investitorë të huaja.