17 Nëntor 2024

Biznesi po merr teposhtën

Albulena S. Mavraj

Prishtinë, 10 tetor - Rënia e investimeve të huaja direkte (IHD) është kërcënim për ekonominë e Kosovës. Referuar raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), bilanci i investimeve të huaja direkte (IHD) në Kosovë në tremujorin e dytë të vitit 2014 ka shënuar vlerë negative prej 3.6 milionë eurosh.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se politikat ekonomike për të bërë biznes në Kosovë janë të pafavorshme.

Sipas tij, si rezultat i kësaj, ka mbyllje të vazhdueshme të bizneseve, zbehje të iniciativave të reja për të bërë biznes, njëkohësisht edhe rënie të investimeve, qoftë vendore apo të huaja.

“Këtë gjendje të pafavorshme e vërtetojnë të gjitha publikimet që bëhen nga institucionet si: Banka Qendrore e Kosovës, Enti Statistikor dhe ne si Aleancë e Bizneseve”, ka thënë ai.

Sipas kryetarit të AKB-së, Agim Shahini, kur bëhet fjalë për politika të pafavorshme fiskale, ende në Kosovë bizneset prodhuese u nënshtrohen taksave të doganës gjatë importit të prodhimit, lëndës së parë retromaterialit dhe pjesëve rezervë.

“Këto ngarkesa janë ende pa filluar punën në biznes. Me këto ngarkesa kushtet për biznes në Kosovë janë të pafavorshme, krahasuar me bizneset konkurrente. Njëkohësisht, edhe politikat inventive në Kosovë janë të pafavorshme, pasi normat e kamatave në bankat komerciale janë të larta që po e vështirësojnë punën e bizneseve, por po e rrezikojnë edhe vetën për t’iu kthyer kreditë”, ka deklaruar ai.

Shahini ka shtuar se, për fat të keq, ka rritje të kredive të këqija, rritje të numrit të bizneseve të falimentuara.

“Kjo tregon se në Kosovë nuk kemi ambient të mirë biznesor. Sistemi gjyqësor e dëmton biznesin, por edhe prokurimi publik, i cili shpesh nga shkeljet e rënda të operatorëve ekonomikë ndaj konkurrencës, ka bërë që shumë biznese të ankohen dhe ta humbin besimin e një trajtimi të barabartë nga ky institucion”, ka potencuar ai.

Sipas tij, është shqetësuese kur dihet se këtë vit ka probleme të mëdha politike dhe mosfunksionalizim të institucioneve shtetërore.

“Kjo papërgjegjësi politike po e godet drejtpërsëdrejti biznesin vendor dhe investimet e huaja, sepse në një shtet ku nuk funksionojnë rendi, ligji dhe institucionet, frikësohen investitorët e huaj”, ka deklaruar ai.

Shahini ka bërë me dije se që nga krijimi i ngërçit politik mbi 15 kompani të huaja janë mbyllur dhe janë larguar nga Kosova.

“Kemi më shumë se 15 biznese të huaja gjatë kësaj periudhe të cilat janë mbyllur dhe kanë ikur nga Kosova. Ky është mesazh se të huajt e duan ligjin, rendin dhe institucionet, prandaj kjo duhet të jetë mësim për ne”, ka thënë Shahini.

I të njëjtit mendim me Shahinin është edhe Alban Zogaj nga Instituti “RIINVEST”. Sipas tij, ndër arsyet kryesore të rënies së investimeve të huaja është ambienti i pafavorshëm biznesor në Kosovë.

“Një ndër arsyet kryesore në rënien e investimeve të huaja në Kosovë është mjedisi i pafavorshëm biznesor. Edhe pavarësisht shumë rekomandimeve e sugjerimeve, shumë pak është punuar në këtë drejtim.

Normalisht se problemet në mjedisin biznesor janë shume komplekse, duke filluar nga gjyqësori e deri tek infrastruktura fizike”, ka deklaruar Zogaj. Sipas tij, indikatorë të tjerë të rënies së investimeve janë edhe rrjedhat e fundit politike.

“Konsideroj se edhe ngjarjet e fundit politike kanë ndikuar që investitorët potencialë ta pushojnë aktivitetin e tyre. Një vend pa Qeveri stabile nuk ofron siguri për investitorët e huaj dhe ata janë shumë të kujdesshëm në këtë drejtim”, është shprehur Zogaj.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)