Bizneset mund të ndikojnë në punësimin e qytetarëve
Prishtinë, 25 janar - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane, me të cilët ka diskutuar për çështjet që pengojnë zhvillimin e komunitetit të biznesit dhe si rezultat zhvillim e përgjithshëm ekonomik në vend.
Veseli është shprehur se duhet përpiluar politikat ekonomike, në mënyrë që ato tu shërbejnë bizneseve.
Ai ka thënë se një strategji për përgatitjen e fuqisë punëtore që përmbush nevojat dhe kërkesat e tregut, si dhe transformimi i politikave ekonomike, duhet të jenë ndër prioritetet kryesore për të nxitur zhvillimin ekonomik në vend.
Kryeparlamentari Veseli, po ashtu, ka diskutuar për rëndësinë e prioriteteve të institucioneve përkatëse të vendit të cilat kanë për qëllim përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes, luftimin e ekonomisë joformale, ofrimin e politikave të favorshme fiskale dhe luftimin e monopoleve, që të gjitha bizneset të operojnë në mënyrë të barabartë.
Në këtë aspekt, Veseli ka inkurajuar të gjithë komunitetin e biznesit që të dorëzojnë një kërkesë të përbashkët, e cila përfshin tri prioritetet kryesore që ky institucion duhet ti ketë në agjendë.
Ai ka pohuar se këto prioritete do të merren parasysh, përfshirë kërkesën për rifunskionalizimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime.
Vetëm të koordinuar, së bashku, duke dialoguar dhe bashkëpunuar, mund të ecim përpara në rrugën më të shpejtë të zhvillimit ekonomik. Bizneset janë aset shumë i rëndësishëm, që, me rritjen e tyre, mund të ndikojnë në punësimin e qytetarëve. Unë, si Kryetar i Kuvendit, do ta bëj të pamundurën që të ofroj mbështetjen institucionale për të ndihmuar dhe lehtësuar të bërit biznes në Kosovë\", ka thënë Kryeparlamentari Veseli.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ndërkaq, në emër të bizneseve anëtare, ka falënderuar Kryeparlamentarin Veseli për mbështetjen dhe shtyrjen para të disa ligjeve të rëndësishme në fushën e zhvillimit ekonomik.
ᐧ