Bizneset kosovare në panairin ndërkombëtar të franshizave
Nju Jork, 21 qershor - Nën organizimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe me mbështetjen e Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Kosovës (APIK), një delegacion i bizneseve më të mëdha të Kosovës po marrin pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Franshizave i cili po mbahet në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Më shumë se 400 franshiza më të mëdha dhe më të njohura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe vendeve të tjera të botës nga industri të ndryshme po prezantohen me ofertat e tyre për zgjerim nëpër shtetet e tjera të botës.
Në ditën e parë të takimeve, bizneset kosovare patën takime dhe komunikime të shumta me përfaqësuesit e franshizave ndërkombëtare për të diskutuar lidhur me mundësitë e blerjes së të drejtave të franshizave dhe hapjen e tyre në Kosovë dhe më gjerë në rajon.
Pjesëmarrja në panairin International Franchize Expo që është një ndër më të mëdhenjtë në botë është një mundësi e mirë për sjelljen e brendeve të njohura amerikane dhe botërore në Kosovë, thuhet në njoftim të OEAK-së.