Biznesët kërkojnë që ATK të përmirësojë edhe më tej shërbimet
Ky ishte konkluzion i përbashkët që doli gjatë tryezës së organizuar sot nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me zyrtarët më të lartë të Administratës Tatimore të Kosovës, përfshirë këtu Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, z. Behxhet Haliti.
Në hapje të tryezës, Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka tha se takimet e tilla me zyrtarët e ATK-së që janë pikat e para të kontaktit të institucioneve të shtetit me komunitetin e biznesit ndihmojnë ATK-në që të mësojë direkt nga bizneset për problemet me të cilat ata përballen gjatë deklarimit dhe pagesave të tatimeve.
Ai pranoi se viteve të fundit ka pasur pak progres në këtë aspekt, duke shtuar se secila çështje që ngritet nga ana e bizneseve ndihmon në përsosjen e mëtejme të sistemit të deklarimit tatimor.
Presidenti i Bordit të Drejtorëve të Odës Amerikane, Erolld Belegu tha se diskutimet e tilla janë një forum i mirë për bizneset që të ngrisin problemet me të cilat përballen, duke potencuar se ATK duhet të jetë edhe më shumë në shërbim të bizneseve, duke qenë që ata janë kontribuesit kryesor të arkës së shtetit. Poashtu Belegu inkurajoi ATK-në që të jetë më aktive në luftimin e ekonomisë joformale.
Në anën tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së z. Behxhet Haliti, duke shprehur mirënjohjen e tij ndaj Odës Amerikane për organizimin e një tryeze të tillë tha se viteve të fundit është vënë re një ngritje e vetëdijesimit së bizneseve që është reflektuar në rritjen e deklarimit vullnetar, duke shtuar se kjo ka ndodhur edhe për shkak të fuqizimit të dialogut me organizatat e biznesit.
Krahas rritjes së deklarimit vullnetar që rrjedhimisht ka rezultuar edhe në shtimin e të hyrave për buxhetin vendit pa ngritje të normave tatimore, Haliti tha se është zvogëluar njëkohësisht numri i ankesave të bizneseve.
Ai pranoi se informaliteti mbetet në norma të larta, duke shtuar se pengesë për luftimin e informalitetit është edhe kapaciteti i kufizuar njerëzor i ATK-së në terren me vetëm 305 inspektorë.
Drejtori i Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve, Sakip Imeri, njoftoi bizneset për ofrimin nga ana e ATK-së e shërbimeve të reja të deklarimit elektronik, duke premtuar që shumë shpejtë do të prezantohen edhe shërbime të tjera të cilat do të shkurtojnë kontaktin fizik midis bizneseve dhe ATK-së.
Ai dhe menaxheri i Divizionit të Edukimit të Tatimpaguesve, Sami Salihu u përgjigjën në shumë pyetje të bizneseve të pranishme, të cilat kishin të bënin me trajtimin e ankesave ndaj vendimeve të zyrtarëve të ATK-së, sidomos zgjidhjen e tyre më të shpejtë nga ana e organeve të pavarura gjyqësore.
Bizneset e pranishme poashtu kërkuan nga zyrtarët e lartë të ATK-së që të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së raporteve të kontrollit si dhe përshpejtimin e procedurave të kontrollit, të cilat sipas tyre në raste të caktuara zgjasin edhe më shumë se një vit.