Bizneset kërkojnë 20 milionë dollarë për dëmet e shkaktuara nga G20
Hamburg, 13 korrik - Bizneset në Hamburg kanë kërkuar 18 milionë euro (20,5 milionë dollarë) për dëmet e shkaktuara nga protestat gjatë Samitit të G20-s.
\"Pronarët e dyqaneve të qytetit i kanë dërguar një kërkesë me shkrim kryebashkiakut të Hamburgut, Olaf Scholz, pasi tregjet ushqimore dhe dyqanet u plaçkitën dhe u dëmtuan rëndë gjatë 3 ditëve të dhunës\", njoftoi të martën televizioni publik NDR 90.3.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka dënuar veprimet e protestuesve dhe ka këmbëngulur që viktimat e protestave të marrin kompensim nga shteti.
Shitësit e Hamburgut thanë se kërkesat e tyre për dëmtim deri tani nuk kishin përfshirë kostot e masave mbrojtëse, të cilat ata ishin detyruar të merrnin përpara Samitit të G20-s.
Nënshkruar nga Shoqata e Tregtarëve me Pakicë të Veriut dhe Shoqata e Sipërmarrjeve të Mesme dhe të Mëdha të Hamburgut, në kërkesën e sipërcituar thuhet se disa biznese nuk mund të nisin punën pasi punonjësit e tyre ishin ende shumë të frikësuar nga dhuna.
Gjithashtu konsumatorëve potencialë u është penguar hyrja brenda në qytet si rezultat i operacioneve të policisë.
Për të kompensuar të ardhurat e humbura gjatë demonstratave, tregtarët me pakicë kanë kërkuar dy të diela të tjera për të mbajtur hapur dyqanet e tyre, gjatë ditëve të rëndësishme të Krishtlindjes në dhjetor.
Sipas ligjeve tregtare gjermane, dyqaneve u lejohet të hapen vetëm për një numër të caktuar të dielash në vit.