08 Nëntor 2024

Bizneset gjermano - kosovare vlerësojnë reformën fiskale 2.0

Prishtinë, 27 janar - Ministria e Financave në vazhdën e diskutimeve me komunitetin e biznesit për pakon fiskale 2.0 ka organizuar sot takim diskutimi me përfaqësuesit e Odës Ekonomike Gjermano - Kosovare në Kosovë (OEGJK), ku diskutuan  për masat e reja të Pakos Fiskale 2.0.

Në këtë takim morën pjesë ministri i Financave Avdullah Hoti, kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Gjermano - Kosovare Fadil Hoxha, drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri, zëvendësdrejtoresha e Doganës së Kosovës Valdete Krasniqi, si dhe përfaqësues të kompanive që janë anëtarë brenda OEGJK-së.

Ministri Avdullah Hoti, duke i njoftuar të pranishmit me masat të cilat janë aprovuar në Qeveri në dhjetorin e vitit që shkoi, i ftoi ata që t’i japin sugjerimet e tyre  shtesë për të plotësuar këto masa.

Sipas ministrit Avdullah Hoti këto masa janë në funksion të zhvillimit të bizneseve dhe përmirësimit të kushteve të të bërit biznes, si dhe në funksion të krijimit të vendeve të reja të punës të cilat do të ndikojnë edhe në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës. 

Sipas Ministrit Hoti masat bazë që parashihet të përmbajë kjo pako e re fiskale janë: Zgjerimi i listës së produkteve që konsiderohen si lëndë e parë për lirim nga tatimi doganor; Heqja e normës së akcizës në mazut; Ndryshim/plotësimi i listës së produkteve që i nënshtrohen normës 0 përqind apo normës së reduktuar 8 përqind të TVSH-së; Udhëzimi Administrativ për Pushimet Tatimore; Nxjerrja e akteve të nevojshme legjislative për kushtet e veçanta të evidentimit, kontrollit dhe shënjimit të miellit i cili vendoset në qarkullim të lirë në tregun e Republikës së Kosovës; Nxjerrja e akteve të nevojshme legjislative për kushtet e caktuara nën të cilat pranohen (njihen) humbjet nga prishja, avullimi apo humbja e peshës së naftës dhe produkteve të saj; si dhe Krijimi i kodeve të reja doganore për disa produkte, sipas praktikave të BE-së.

Ai gjithashtu shtoi se përveç këtyre masave të cilat janë aprovuar në Qeveri, listës  do t’i shtohen edhe masat e reja të sugjeruara nga komuniteti i biznesit.

“Ministria e Financave do t’i shqyrtojë edhe të gjitha sugjerimet nga komuniteti i biznesit, dhe palët të tjera të interesit, me të cilët ka zhvilluar takime gjatë kësaj periudhe. Pas shqyrtimit të këtyre sugjerimeve, Ministria e Financave do të finalizojë listën e masave të politikave të reja fiskale të cilat pritet që të dërgohen për aprovim në Qeveri gjatë muajit shkurt të këtij viti”, shtoi Ministri Hoti.

Ndërsa,  kryetari i Bordit të OEGJK-së Fadil Hoxha e vlerësoi lart iniciativën e ministrit Avdullah Hoti dhe institucionin që ai e udhëheq për përmirësimin e politikave fiskale në vend, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira të të bërit biznes.

Me këtë rast përfaqësuesit e Odës Ekonomike Gjermano - Kosovare gjithashtu prezantuan rekomandimet e tyre me qëllim të përfshirjes në pakon fiskale 2.0, të cilat priten të shqyrtohen nga zyrtarët e Ministrisë së Financave. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)