03 Maj 2024

Bizneset e vogla dhe të mesme, shtyllë për zhvillimin e vendit

Prishtinë, 24 nëntor - Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) janë bizneset të cilat e përbëjnë 99 për qind të zhvillimit ekonomik dhe cilësohet si njëri ndër sektorët bazë në krijimin e një buxheti të qëndrueshëm ekonomik të Republikës së Kosovës.

Kështu u vlerësua nga panelistët në konferencën e mbajtur të enjten nga Agjencia për Përkrahjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, me temën “Integrimi evropian i Kosovës përmes zhvillimit të biznesit të vogël”.

Kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë për Përkrahjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në kuadër të MTI-së, Granit Berisha, duke folur për rëndësinë e këtyre bizneseve, tha se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme llogariten si shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik në Kosovë.

“Sipas Agjencionit për regjistrimin e bizneseve në Kosovë, këtë kategori të bizneseve e përbëjnë 99 për qind të bizneseve që veprojnë në ekonominë e Kosovës. Si të tilla bizneset e vogla janë shtyllë e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa tha se orientimi në biznese të vogla dhe të mesme është shumë i rëndësishme dhe zhvillimi i tyre do të krijonte edhe vende të reja pune.

“Ajo çfarë unë konsideroj është se është mirë që ne të punojmë edhe më tutje në orientimin e këtij sektori në mënyrë që të bëjmë një transfere nga shërbimet në sferën e prodhimit, për të cilin ne jemi shumë të interesuar, përmes së cilës ne do ta përmirësojmë bilancin tregtar me jashtë dhe do ta nxisim prodhimtarin vendore”, ka thënë ai.

Sipas tij, është me rëndësi jetike që të nxitet dhe të përkrahet zhvillimi i sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, duke u krijuar sa më shumë lehtësira administrative në bërien e biznesit.

Edhe Mustafa theksoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme krahasuar me ndërmarrjet e mëdha, përbëjnë përqindjen më të madhe të punësimit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Mirëpo, shefi i Operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Christof Stock është shprehur i impresionuar me punën që e kanë bërë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Ai ka treguar për rëndësinë e organizimit të konferencave të tilla, të cilat sipas tij, e rrisin konkurrentshmërinë e bizneseve.

“Eshtë shumë e rëndësishme të theksojmë iniciativat që vijnë për mbështetje nga Agjencia për Mbështetje të NMV-ve, gjithsesi e çmoj kontributin e kësaj agjencie ku ata kontribuojnë në konkurrencën e këtyre NMV-ve dhe nëse ne i kombinojmë të gjitha këto projekte, nënkupton se do të kemi më shumë vende të punës, më shumë inovacion, gjë që do ta sjellë Kosovën më përpara, një ekonomi më të fuqishme, më stabile dhe natyrisht më konkurruese”, ka thënë ai.

Stock shton se meqë pasuria më e madhe e Kosovës janë të rinjtë e saj, atëherë është shumë e rëndësishme që atyre t’u ofrohet një mjedis i mirë për themelimin e një biznesi.

Për më tepër, në këtë konferencë janë publikuar edhe emrat e tri kompanive më të suksesshme, të cilat kanë kontribuar në arkën shtetërore. Kompania më e mirë në këtë aspekt u zgjodh “3 CIS” nga Prishtina, e cila mori mirënjohje për punën e saj, e cila me produktet e saj tërësisht është e plasuar në tregun e jashtëm. Si kompani e dytë u zgjodh “M Technology”, duke e lënë në vendin e tretë kompaninë “Sportina dhe Albi”.

Përzgjedhja e këtyre kompanive ishte bërë mbi bazën e kritereve, si, kompania e cila ka punësuar më së shumti punëtorë, kontributi më i madh i kompanive që i kanë dhënë Administratës Tatimore të Kosovës, si dhe kontributi i kompanive dhënë Doganave të Kosovës.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)