Bizneset delegojnë shqetësimet tek Kryetari Haskuka
Prishtinë, 31 tetor - Rritja e taksave komunale, qendra e inovacionit, krijimi i komitetit për zhvillim ekonomik, mosfunksionalizimi i Zonës Ekonomike dhe kriteret për të qenë pjesë e saj, ishin ndër çështjet kryesore të diskutuara në takimin e përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me Kryetarin e Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka.
Kryetari i bordit të OAK-së Skënder Krasniqi falënderoi kryetarin Haskuka për pritjen, duke e njoftuar për aktivitetet dhe prioritetet e Odës dhe theksoi që ky takim u kërkua pasiqë bizneset e konsideruan si të nevojshëm diskutimin për sfidat me të cilat ata po përballen me Komunën gjatë organizimit “Kafja e Mëngjesit” në Prizren që OAK është duke i mbajtur në komuna.
Pronari i biznesit “Nutriwell” Bujar Bilurdagi kërkoi nga kryetari Haskuka që të themelohet një komitet për zhvillim ekonomik, pasiqë është mëse e nevojshme dhe do të ndihmonte bizneset e reja që të fokusohen në sektorët për të cilët Komuna ka nevojë më shumë. Tutje ai shtoi që një nga problemet kryesore me të cilat bizneset po përballen është edhe mungesa e kuadrit profesional, gjë e cila po i vështirëson punët për bizneset.
Dashmir Badallaj, pronar i biznesit “Badallaj.5” SH.P.K. u fokusua tek ndryshimi i taksave komunale që parashihet të ndodhë nga viti 2020, duke theksuar që një ndryshim i tillë enorm do të ndikoj negativisht tek bizneset e kësaj komune, andaj edhe u kërkua që Kryetari të ndërmarr masat që janë nën kompetencë të tij.
Tafil Kalimashi, pronar i “Kosova Pack” SH.P.K. kërkoi që bizneset të informohen paraprakisht për kriteret që kërkohen të plotëohen nga bizneset për të qenë pjesë e Zonës Ekonomike. Ndërsa, Edin Gashi pronar i “Dallas” SH.P.K. shtoi që infrastruktura që ka Zona Ekonomike është ndër arsyet kryesore pse bizneset janë të interesuara për të qenë pjesë e saj. Ndërsa, Bafti Ismajli nga gurthyesi “Fitimi Commerce” theksoi problemet e bizneseve të sektorit minerar dhe vështirësitë që po hasin gjatë operimit.
Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka shtoi që Rregullorja për taksa është filluar nga Qeveria e kaluar dhe se janë bërë shumë ndryshime nga drafti fillestar, ndërsa ajo pritet të hy në funksion nga 01 janar 2020. Tutje ai shtoi që një nga problemet kryesore që po e hasin si Komunë është reagimi i bizneseve ndaj vendimeve të ndryshme që ata po marrin, vetëm pas miratimit.
Zona Ekonomike është duke u përfunduar, mirëpo për ta lëshuar në funksion fillimisht duhet të merren disa pëlqime nga Ministritë, e për të cilën fillimisht duhet të pritet krijimi i Qeverisë së re, ndërsa kriteret për të qenë pjesë e saj janë të parapara nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Gjithashtu gjatë këtij takimi u diskutua edhe qendra e inovacionit, ku përfaqësuesit e Komunës theksuan që do të kenë përparësi bizneset për inovacion dhe teknologji si dhe industritë e lehta, por që ende nuk është e finalizuar.
Për fund kryetari Haskuka shtoi që Komuna e Prizrenit është e interesuar që të bëjë një strategji për zhvillim ekonomik dhe është e interesuar që të bashkëpunoj me komunitetin e biznesit, ndërsa lidhur me kuadrin profesional mund të arrihet lehtë një zgjidhje, mjafton që bizneset t’i informojnë për profesionet që ju nevoiten pastaj mund të krijohen propozime për kurrikula ato drejtime në shkollat profesionale.
Komuna e Prizrenit në këtë takim u përfaqësua nga: Kryetari i Komunës Mytaher Haskuka, Shefja e Kabinetit Krenare Koçi dhe Drejtori i Shërbimeve Publike Levent Kasumi.
Ndërsa Oda e Afarizmit të Kosovës në këtë takim u përfaqësua nga: Kryetari i bordit Skënder Krasniqi, Anëtari i bordit Hasan Gigollaj, Koordinatorja Qendresa Ibrahimi, zyrtarja Mirjeta Shala dhe bizneset “Hidroregjioni Jugor” - Besim Baraliu, Ibrahim Bajraktari, “Nutriwell” – Bujar Bilurdagi, “Autom Klishe” -Jusuf Shalqini, “Delight” L.L.C. – Mimoza Hoxhaj, “Kosova Pack” – Tafil Kalimashi, “Badallaj.5” SH.P.K.- Dashmir Badalli, “Fitimi Comerc” SH.P.K. – Bafti Ismajli, “Dallas” SH.P.K. Edin Gashi, D.P.Z. “Shtanc Forma” – Jeton Bobaj.