12 Nëntor 2024

Bizneset anëtare të Odës Amerikane flasin mbi perspektivat e CSR

Prishtinë, 13 korrik - Në punëtorinë e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbi Perspektivat e Përgjegjësisë Shoqërore Korporative (CSR) për Komunitetin e Biznesit, fokusi kryesor i diskutimeve ishte mbi atë së çfarë duhet bërë sektori privat dhe institucionet përgjegjëse për përmirësimin e jetës së komunitetit ne vend, me theks të veçantë zhvillimin dhe përgatitjen e të rinjve për tregun e punës si një ndër shtyllat kryesore të CSR.

Driton Dalipi nga MDA hapi këtë takim në cilësinë e moderatorit, duke vënë theksin mbi rolin e rëndësishëm të Odës Amerikane dhe anëtarëve të saj në fushën e CSR dhe mundësitë ekzistuese që bashkërisht të shërbejnë si lider të ndryshimeve pozitive në komunitet.

Ndërkaq, angazhimi dhe përpjekjet e vazhdueshme të Odës Amerikane për iniciativa dhe aktivitete në fushën e CSR, u përmendën më në detaje nga anëtari i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi. Ai theksoi se përmes Komitetit të CSR të Odës Amerikane synohet koordinim më i mirë i këtyre përpjekjeve duke ndarë informata të nevojshme me bizneset anëtare për një përfshirje më të madhe në aktivitete të CSR dhe edukimin e tyre në këtë drejtim.

Niveli i lartë i papunësisë në vend, sidomos tek të rinjtë u përmend si fakt shqetësues gjatë prezantimit të Drejtorit të KEDS, Geroge Karagutoff. Ai shpalosi për të pranishmit informata mbi projektin e KEDS Academy, i cili përmes bashkëpunimit me institucionet arsimore në vend, përfshirë shkollat e mesme dhe nivelin universitar, mundëson trajnimin profesional dhe punësimin brenda KEDS të atyre të rinjve që tregojnë rezultate pozitive dhe gatishmëri për zhvillim të mëtutjeshëm.

Nadya Sinigerska dhe Tanya Dikova nga Contour Global thanë se është mëse e nevojshme që projektet në fushën e CSR të identifikohen bazuar në kërkesat e komunitetit dhe të njëjtat të ndërlidhen me objektivat e vet biznesit, në mënyrë që të arrihen rezultatet e kërkuara. Sipas tyre, është shumë e rëndësishme që pas përfundimit të projektit të bëhet një vlerësim mbi ndikimet e tij në target grupet e përfshira dhe në përgjithësi në komunitet, që ndër të tjera do të mundësonte edhe koordinimin e përpjekjeve dhe aktiviteteve të ardhshme të CSR.

Rëndësia e të qenit partner konstruktiv i institucioneve dhe organizatave shtetërore qëndron në forcimin dhe koordinimin e përpjekjeve që përmes aktiviteteve të CSR të mundësohet zhvillimi i mëtutjeshëm i shoqërisë. Kjo u theksua gjatë prezantimi të Agron Mustafa, Drejtor Gjeneral i Telekomit të Kosovës, i cili e konsideroi si të domosdoshme edhe përgatitjen e shoqërisë në shfrytëzimin e teknologjisë së komunikimit, duke shprehur planet e kompanisë që ai drejton për projekte të ardhshme në këtë drejtim.

Albena Pllana nga Coca Cola Hellenic vuri theksin tek trajnimi i vazhdueshëm i punonjësve dhe edukimi profesional i të rinjve që kjo kompani ofron për një periudhë prej 6 javësh. Ajo shtoi se në mënyrë që një iniciativë të ketë rezultatet e duhura, është e nevojshme krijimi i një strategjie të qëndrueshme të biznesit dhe bashkëpunimi me të gjithë partnerët dhe komunitetin lokal.

Në fund, të pranshimit u dakorduan se nevojitet një angazhim dhe bashkëpunim më i madh i sektorit privat me institucionet përgjegjëse në mënyrë që të arrihet ndikimi i synuar i projekteve të CSR në shoqëri, përfshirë këtu edhe rritjen e punësimit të të rinjve duke harmonizuar kurrikulat edukative me kërkesat e tregut të punës.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)