Bizneset amerikane të interesuara për investime në Kosovë
Prishtinë, 14 maj - Një delegacion i bizneseve amerikane qëndroi sot në Odën Ekonmike Amerikane në Kosovë ku u takua me disa përfaqësues të bizneseve që operojnë në Kosovë. Qëllimi i takimit të tyre ishte informimi lidhur me mundësitë që ofron Kosova për investitorët amerikanë.
Kryetari i Bordit të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi, njoftoi të pranishmit me mundësitë e shumta për investime të cilat i ofron Kosova në sektorë të ndryshëm. Ai tha se numri i madh i bizneseve të suksesshme është dëshmi e vullnetit dhe punës së madhe të bizneseve vendore për t'u rritur më tutje. Ibrahimi tha se rrjetëzimi mes bizneseve vendore dhe atyre amerikane është ndër mënyrat më të mira për të forcuar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës dhe për të siguruar numër më të lartë të investimeve amerikane në vend.
Njëri nga biznesmenët amerikanë pjesë e delegacionit, Michael Stoltzfus, u interesua lidhur me kualitetin e arsimit në vend si dhe zhvillimin e ndërmarrësisë si disa nga shtyllat kyçe për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Stoltzfus përmendi rininë e Kosovës si një aset mjaft të vlefshëm i cili mund të rezultojë në rritje më të qëndrueshme të vendit duke reflektuar në themelimin e një numri më të madh të ndërmarrjeve të reja gjë që pastaj përkthehet në vende të reja pune.
Më tutje, përfaqësuesit e bizneseve diskutuan rreth mundësive të bashkëpunimit me bizneset amerikane në projekte konkrete në fusha të ndryshme duke u dakorduar për vazhdim të komunikimit mes tyre.