BIRN: Tenderët fitohen nga bizneset e njerëzve te afërt me politiken
Prishtinë, 9 shkurt - Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka publikuar sot raportin e monitorimit të prokurimit publik për vitin 2014.
Raporti i titulluar Arka e Favoreve përfshin elemente shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me shpenzimin e parasë publike nga ana e institucioneve lokale, qendrore dhe atyre të pavarura brenda 12 mujorit të kaluar.
Dokumenti është i ndarë në 7 kategori dhe përfshin 168 autoritete kontraktuese të cilat kanë zhvilluar procedura përmes prokurimit.
Raporti paraqet edhe raste kur autoritetet kontraktuese kanë shpërblyer me kontrata publike kompani që konsiderohen të papërgjegjeshme apo që janë në pronësi të njerëzve të besueshëm të politikanëve të fuqishëm, miqtë apo familjarët e zyrtarëve të prokurimit etj.
\"Gjatë punës në këtë raport, është vërejtur që profesionistët që mundohen ta thejnë rrjetin e organizuar të favoreve materiale të instaluara prej elitave politike penalizohen, frikësohen e demoralizohen vetëm e vetëm pse nuk hynë në këtë valle\", tha Drejtoresha e BIRN, Jeta Xharra, gjatë publikimit të këtij raporti.
Thomas Gnocchi, kryesues i Seksionit Politik, Ekonomik dhe të Integrimit Evropian në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se prokurimi përbën një çështje jetike për ekonominë e Kosovës dhe është i rëndësishëm në rrugën e vendit drejt integrimit evropian.
Kosova duhet të sigurohet që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë efektive, në mënyrë që të ruhet besimi i qytetarëve në institucionet publike, tha Gnocchi.
Raporti paraqet edhe disa raste të kontratave kur kompania fituese ofron çmime disa herë më të ulëta se vlera më e lartë e ofertuar, si në Lipjan ku çmimi ishte 65 herë më i lartë, në Mitrovicë për 5 herë më i lartë, në Vushtrri për 13 herë më i lartë, në QKUK për 14 herë më i lartë, në Termokos për 4 herë më i lartë, në Infrakos për 7 herë më i lartë përkundër mjeteve të planifikuara paraprakisht për tenderë të caktuar.
\"Gjatë vitit 2014 prokurimi është karakterizuar me shpërblime me kontrata publike të njerëzve të afërt të kryetarëve të komunave, zyrtarëve të prokurimit e deri tek veprimet që çuan në zyrtarizimin e vetëm një tenderuesi pa konkurrencë të një kompanie amerikane në tenderin e madh për ndërtimin e Kosova e Re si dhe punësimin e ish-ambasadorit amerikan Christopher Dell në kompaninë Bechtel që ndërtoi autostradën e Kosovës\", tha Florina Ujupi, bashkë-autore e këtij raporti.
Raporti shpalos edhe tenderë të negociuar megjithëse në vlera të mëdha e që i ikin procedurave të hapura dhe dëmtojnë konkurrencën e lirë, si në rastin e blerjes së Ipad nga Kuvendi i Kosovës.
Për më tepër, raporti ka analizuar edhe tenderë për furnizimin me derivate si një fushë mjaft e komplikuar dhe problematike, ku kompanitë e furnizimit vendosin çmime qesharake dhe të paarsyeshme të premiumit. Në një tip të tillë tenderësh, Policia e Kosovës megjithëse kishte denconuar një kompani për mashtrim dhe dëmtim të buxhetit të saj në vlerë prej 150 mijë euro, për shkak se kishte tenderuar me 0.00 premium, e shpërblen të njejtën kompani për furnizim me derivate edhe në vitin 2014.
Ujupi tha se një numër i konsiderushëm rastesh që ndërlidhen me procedura tenderuese gjenden nën hetime nga prokuroritë apo në shqyrtim gjyqësor. Kështu, vetëm në vitin 2014, Prokuroria Speciale e Kosovës pa pasur në punë 23 raste me 183 persona të përfshirë të cilët janë hetuar pikërisht për këto dyshime\".
Të gjeturat e raportit paralajmërojnë për nevojë urgjente të ngritjes së kapaciteteve njerëzore dhe teknologjike në sektorin e prokurimit. Realizimi i tyre do të mundësonte realizim adekuat të prioriteteve, planeve dhe strategjive që institucionet i kanë vënë vetes për qëllim.