Bill Gates, njeriu më i pasur i botës
New York, 4 mars - Miliarderi filantrop Bill Gates vazhdon të jetë njeriu më i pasur i botës.
Sipas revistës Forbes, pasuria e themeluesit të kompanisë Microsoft tani është 80 miliardë dollarë, një rritje prej mbi 3 miliardë që nga viti i kaluar, megjithëse në nëntor ai i dhuroi 1,5 miliardë dollarë Fondacionit Bill dhe Melinda Gates.
Manjati meksikan i telekomunicioneve Carlos Slim Helu është i dyti në radhë, me një pasuri prej 77.1 miliardë dollarësh.
Më i famshmi në listën e njerëzve më të pasur është ylli i basketbollit amerikan, Michael Jordan, me një pasuri neto prej 1 miliard dollarësh, falë pronësisë ekskluzive të kompanisë Charlotte Hornets të Shoqatës Kombëtare të Basketbollit dhe pagesave nga firma e prodhimeve atletike Nike.
Sipas revistës Forbes, listës së miliarderëve vitin e kaluar ju bashkuan 290 anëtarë të rinj. Rreth 25 për qind e miliarderëve të rinj këtë herë vijnë nga Kina, e cila i shtoi listës 71 emra të rinj. Kina bëhet kështu vendi me numrin më të madh të miliarderëve, e pasuar nga Shtetet e Bashkuara me 57 miliarderë. Në vend të tretë është India me 28 dhe në vend të katërt Gjermania, me 23 miliarderë.
Nga 1,826 anëtarët e listës së miliarderëve të revistës Forbes, 46 janë nën moshën 40 vjeç dhe vetëm gjysma e tyre e kanë vënë pasurinë nga fusha e teknologjisë.
Pasuria mesatare e anëtarëve të rinj të listës është 1,8 miliardë dollarë. Të gjithë bashkë ata kanë një pasuri prej 518 miliardë dollarësh, një tjetër shifër rekord.