Bill Gates kryeson listën e miliarderëve me 75 miliardë dollarë
New York, 2 mars - Revista Forbes botoi listën e miliarderëve të botës, e cila këtë vit është pak më e shkurtër se vitin e kaluar.
Lista kryesohet nga themeluesi i kompanisë Microsoft, Bill Gates, pasuria e të cilit në mesin e shkurtit kishte vlerën neto prej 75 miliardë dollarësh.
Në vend të dytë është spanjolli Amancio Ortega, me pasurinë me vlerën e 67 miliardë dollarëve. Ai e ka vënë pasurinë me biznesin e tij në industrinë e veshjeve; Ortega është edhe themeluesi i firmës Zara, që ka dyqane në vende të ndryshme të botës.
Investitori amerikan Warren Buffet është i treti në listën e më të pasurve të botës, me një pasuri me vlerën neto 60.8 miliardë dollarë.
Gruaja më e pasur e botës është Liliane Bettencourt, themeluesja e kompanisë së prodhimeve kozmetike LOreal. Ajo ka 36,1 miliardë dollarë.
Miliarderët janë ndarë edhe sipas moshës. Miliarderi më i ri është investitorja norvegjeze Alexandra Andresen, e cila në moshën 19-vjeçare ka 1,2 miliardë dollarë. Në mesin e 1,810 më të pasurve të botës ajo është në vendin e 1,476.
Ndërsa miliarderi më i vjetër është David Rockefeller Sr., që e ka vënë pasurinë me biznesin e tij me naftën dhe bankat. Në moshën 100 vjeçare ai ka një pasuri me vlerën e 3 miliardë dollarëve dhe renditet në vendin 569 në listë.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë vendi me numrin më të madh të miliarderëve, 540 të tillë.
Kina renditet në vend të dytë, me 251 miliarderë.
Invesitori amerikan në fushën e pasurive të patundshme Donald Trump, një figurë dominante në politikën amerikane të këtij viti, si pjesëmarrës i rëndësishëm në garën presidencaile, është në vendin 324 të listës së personave më të pasur të botës. Sipas revistës Forbes ai ka një pasuri me vlerën neto 4,5 miliardë dollarë.