Bien të ardhurat e qytetarëve të Shqipërisë
Tiranë, 8 mars - Pas vitit 2008, kur kriza goditi ekonominë, familjet e Shqipërisë i orientuan të ardhurat e tyre drejt kursimit.
Përgjatë kësaj kohe, depozitat e individëve në Banka u rritën në total me mbi 300 miliardë lekë.
Por, vitin e kaluar ritmi i tyre u ngadalësua fort duke zbritur në 6.2 për qind, gati dy herë më pak se 2011-a. Tendenca është theksuar veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit.
Sipas shifrave zyrtare, pas muajit gusht, depozitat në banka janë në stanjacion, me rritje zero. Por pse shqiptarët po i ulin kursimet? Në kushte normale rënia e normës së kursimit do të shoqërohej me rritjen e konsumit ose investimeve.
Por vetë shifrat zyrtare tregojnë se kjo nuk ka ndodhur. Sipas INSTAT, vitin e kaluar importet totale shënuan rënien më të madhe historike me mbi 8 për qind duke konfirmuar tkurrjen e konsumit.
Ndërsa në zërin e makinerive dhe pajisjeve, të cilat shërbejnë për investime rënia ka qenë edhe më e fortë, mbi 14 për qind. Familjet shqiptare po përballen me rënien e të ardhurave, që kufizon mundësitë për të kursyer.
Dërgesat e emigrantëve kanë vijuar të ulen për të gjashtin vit me radhë, ndërsa vitin e kaluar ngadalësimi i rritjes ekonomike preku edhe burimet e brendshme të të ardhurave, si pagat dhe fitimin e bizneseve.