Bien dërgesat e emigrantëve në Shqipëri
Tiranë, 11 shtator - Dërgesat e emigrantëve kanë shënuar në gjashtëmujorin e parë rënien më të madhe historike, që nga koha kur ekonomia u përball me krizën globale.
Të dhënat e fundit zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se për gjysmën e parë të vitit, emigrantët shqiptarë dërguan pranë familjeve të tyre mbi 111 milionë euro më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Rënia është 32.6 për qind.
Transfertat e emigrantëve janë në të vazhdueshme që nga viti 2007, kur arritën pikun me mbi 900 milionë euro. Por asnjëherë më parë rënia nuk ka qenë kaq e thellë sa këtë vit çka tregon se emigrantët po përballen gjithmonë e më shumë me kushte me të vështira.
Që nga rënia e regjimit komunist, dërgesat e shqiptarëve të emigruar jashtë kanë qenë një nga burimet kryesore të të ardhurave për familjet, por edhe fluksit të valutës në ekonomi. Në vitin 2007, ato përbënin sipas Bankës Botërore gati 14 për qind të Prodhimit Kombëtar të vendit duke financuar konsumin e familjeve dhe kërkesën agregate.
Aktualisht pesha e tyre në ka rënë nën 7 për qind të Prodhimit Kombëtar. Tkurrja e fortë e dërgesave që familjet shqiptarë përfitojnë nga të afërmit e tyre në emigracion është cilësuar, si një nga arsyet kryesore të ndrydhjes së konsumit në vend, duke ulur rritjen ekonomike në nivelet më të ulëta që nga viti 1997. Por jo vetëm kaq.
Për shumë familje ato janë burim jetik të ardhurash. Sipas një vrojtimi të realizuar nga Banka Qendrore ne vitin 2009, në Shqipëri përfitojnë dërgesa të rregullta nga jashte rreth 160 mijë familje dhe 26 për qind e tyre nëse nuk do t\'i kenë këto të ardhura bien nën nivelin e varfërisë.