Bie vlera e pasurisë së 100 sllovenëve më të pasur
Lubljanë, 5 nëntor - Vlera e pasurisë së 100 sllovenëve më të pasur është zvogëluar për 20 për qind në krahasim me vitin e kaluar dhe arrin rreth 2,5 miliardë euro sipas rang-listës së sivjeme të Njëqind më të pasurve, që të mërkurën e publikoi revista Menaxher.
Me vlerë të pasurisë prej 340 milionë euro në rang listën edhe më tutje kryeson biznesmeni Mirko Tush, pronari i zinxhirit tregtar me po të njëjtin emër. Vlera e ndërmarrjes së tij për dy vjet është zvogëluar trefish për shkak të borxheve dhe pasojave nga recesioni.
Vendin e dytë në rang-listë e ruajti biznesmeni Igor Lash me 196 milionë euro, e vendin e tretë me 166 milionë e mban Darko Horvat, i cili biznesin e vet e transferoi në Holandë.
Lah dhe Horvat milionët e parë i kanë fituar gjatë blerjes dhe koncentrimit të çertifikatave privatizuese, që shteti ua ndan qytetarëve në fillim të viteve të 90-ta.
Kërcim më të madh në këtë listë ka shënuar Sandi Çeshku, pronari i ndërmarrjeve për shitje përmes shpalljeve televizive, vlera e të cilëve sivjet është rritur për 87 milionë euro, me çka e fitoi vendin e katërt në rang-listë.
Pasaniku më i ri slloven është 23-vjeçari Arion Habestor, pronar i katër fabrikave për ndërtimin e peshave prej betoni që vendosen në lavatriçe.