Bie shkalla e papunësisë në SHBA
Washington, 5 maj - Shkalla e papunësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u ul disi në prill, por qeveria tha sot se shtimi i vendeve të punës në ekonominë më të madhe të botës ka qenë modest.
Departamenti i Punës tha se shkalla e papunësisë ra zero presje 1 përqind nga muaji mars duke arritur në 8.1 përqind. Por, për muajin e dytë rradhazi, më shumë punëtorë u larguan nga tregu i punës dhe kështu nuk u numëruan në sondazhin e punësimit.
Gjendja e ekonomisë amerikane është një çështje dominuese në fushatën presidenciale të këtij viti.
Kandidati i mundshëm republikan, Mitt Romney, e quajti raportin e fundit të punësimit \"të tmerrshëm dhe shumë zhgënjyes\". Ai tha se ekonomia amerikane po ngadalësohet.
Presidenti amerikan Barak Obama, një demokrat, që po kandidon për një mandat të dytë katër-vjeçar i tha një grupi nxënësish të shkollave të mesme pranë Uashingtonit se ekonomia po përmirësohet dhe ka krijuar 1 milionë vende të reja pune gjatë gjashtë muajve të fundit.
Presidenti i bëri thirrje kongresit të miratojë javën e ardhshme një ligj që do të nxisë edhe më tej krijimin e vendeve të punës.