Bie për 14.7 për qind numri i ndërmarrjeve të regjistruara
Prishtinë, 30 janar - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), publikon Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet në Kosovë për tremujorin e katërt (TM4) 2017.
Në tremujorin e katërt të vitit 2017 (TM4 2017) gjithsej janë regjistruar 1 921 ndërmarrje.
Krahasuar me tremujorin paraprak (TM3 2017) në TM4 2017 ka një rënie prej 13.3% të ndërmarrjeve të regjistruara.
Po ashtu, krahasuar tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2016) ka një rënie të ndërmarrjeve të regjistruara për 14.7%.
Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me 511 ndërmarrje të regjistruara (26.6%); akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 183 ndërmarrje të regjistruara (9.5%); ndërtimtaria me 180 ndërmarrje të regjistruara (9.4%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 171 ndërmarrje të regjistruara (8.9%); prodhimi me 166 ndërmarrje të regjistruara (8.6%); ndërsa aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël.
Kategoria e numrit të të punësuarve nga 1 deri 4 përbën 1 846 ndërmarrje, ose 96.1% e ndërmarrjeve të regjistruara; kategoria me 5 deri 9 të punësuar me 47 ndërmarrje, ose 2.4% e ndërmarrjeve të regjistruara; kategoria me 10 deri 19 të punësuar me 18 ndërmarrje ose 0.9% e ndërmarrjeve të regjistruara; kategoria me 20 deri 249 të punësuar me 10 ndërmarrje ose 0.5% e ndërmarrjeve të regjistruara; ndërsa në kategorinë 250+ të punësuar nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruar gjatë këtij tremujori.
Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron Prishtina me 643 ndërmarrje të regjistruara (33.5%); Prizreni me 147 ndërmarrje të regjistruara (7.7%); Ferizaj me 146 ndërmarrje të regjistruara (7.6%); Gjilani me 117 ndërmarrje të regjistruara (6.1%); Peja me 116 ndërmarrje të regjistruara (6.0%); Mitrovica me 75 ndërmarrje të regjistruara (3.9%); ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.