Bie numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara
Prishtinë, 14 qershor - Raporti Vjetor i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës tregon se në vitin 2017 është shënuar numër më i vogël i ndërmarrjeve të regjistruara dhe po ashtu numër më i vogël i ndërmarrjeve të mbyllura.
Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara ishte 9,223 apo 1,201 ndërmarrje më pak se sa në vitin paraprak, ndërsa u mbyllën 1,623 ndërmarrje apo 753 ndërmarrje më pak se sa në vitin paraprak.
Numri më i madh i ndërmarrjeve të regjistruara vazhdon të jetë i koncentruar në sektorin e tregtisë me 2,462 ndërmarrje të reja, pasuar nga sektori i hotelerisë me 930 ndërmarrje, prodhimtarisë me 890 ndërmarrje dhe bujqësisë me 822 ndërmarrje.
Krahasuar me vitin 2016, në shumicën e sektorëve është shënuar numër më i vogël i ndërmarrjeve të regjistruara.
Në sektorin e prodhimit janë regjistruar 291 ndërmarrje më pak, në sektorin e tregtisë 276 ndërmarrje më pak, në sektorin e bujqësisë 268 ndërmarrje më pak, etj.
Sektorët që shënuan numër më të madh të ndërmarrjeve të regjistruara ishin sektori i aktiviteteve profesionale (80 ndërmarrje më shumë), informacionit dhe komunikimit (18 ndërmarrje më shumë), si dhe sektori i ndërtimtarisë (12 ndërmarrje më shumë).