Bie numri i ndërmarrjeve të regjistruara për 10.5 për qind
Në tremujorin e tretë të vitit 2017 (TM3 2017) gjithsej janë regjistruar 2 215 ndërmarrje.
Krahasuar me tremujorin paraprak (TM2 2017) kishte rënie për 0.98% të ndërmarrjeve të regjistruara. Po ashtu, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2016) ka rënie të ndërmarrjeve të regjistruara për 10.5%.
Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me 529 ndërmarrje të regjistruara (23.9%); bujqësia, pylltaria dhe peshkataria me 245 ndërmarrje të regjistruara (11.1%); prodhimi me 225 ndërmarrje të regjistruara (10.2%); akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 208 ndërmarrje të regjistruara (9.4%); ndërtimtaria me 188 ndërmarrje të regjistruara (8.5%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike 186 ndërmarrje të regjistruara (8.4%); aktivitete të shërbimeve të tjera (7.2%); ndërsa aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël.
Kategoria e numrit të të punësuarve nga 1 deri 4 përbën 2 147 ndërmarrje ose 96.9% e ndërmarrjeve të regjistruara; kategoria me 5 deri 9 të punësuar me 49 ndërmarrje të regjistruara (2.2%); me 10 deri në 19 të punësuar me 12 ndërmarrje (0.5%); 20 deri 249 të punësuar me 6 ndërmarrje (0.3%); ndërsa në kategorinë 250+ të punësuar është vetëm një ndërmarrje e regjistruar gjatë këtij tremujori.
Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron Prishtina me 668 ndërmarrje të regjistruara (30.2%), Ferizaj me 188 ndërmarrje të regjistruara (8.5%); Prizreni me 177 ndërmarrje të regjistruara (8.0%); Peja me 114 ndërmarrje të regjistruara (5.1%); Gjilani me 100 ndërmarrje të regjistruara (4.5%); Gjakova me 75 ndërmarrje të regjistruara (3.4%); ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.