Bie numri i amerikanëve që kërkojnë përfitimet e papunësisë
Washington, 28 nëntor - Numri i amerikanëve që kërkojnë përfitimet e papunësisë po bie, një shenjë e re kjo që flet për përmirësimin e tregut të punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qeveria amerikane njoftoi sot se 316 mijë të papunë plotësuan kërkesat fillestare për kompensimet e papunësisë, pra 10 mijë vetë më pak se një javë më parë dhe shifra më e ulët në dy muaj.
Kërkesat për përfitimet e papunësisë në ekonominë amerikane, më e madhja në botë, kanë rënë në 6 nga 7 javët e fundit, një tregues se punëdhënësit janë duke pushuar më pak njerëz nga puna.
Formuluesit e politikave në Rezervën Federale po vëzhgojnë gjithashtu në se janë shtuar punësimet, para se të marrin një vendim në se duhet ta pakësojnë mbështetjen e drejtpërdrejtë për ekonominë amerikane.
Që nga muaji gusht në Shtetet e Bashkuara janë shtuar mesatarisht 200 mijë vende të reja pune në muaj, por shifra e papunësisë mbetet ende e lartë, në nivelin 7,3 për qind muajin e kaluar.