Bie niveli i investimeve të huaja
Prishtinë, 9 dhjetor - Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Valdrin Lluka, ka treguar se niveli i investimeve gjatë periudhës së tremujorit të dytë të vitit 2014-t ka qenë dukshëm më i vogël sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas analizave të Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014-t kemi pasur rreth 52 milionë euro investime të huaja në Kosovë. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë qenë rreth 83 milionë euro, është shprehur Lluka.
Ai në këtë intervistë për gazetën Epoka e re ka deklaruar se numri i kompanive të regjistruara deri në muajin gusht të këtij viti ka qenë 84 sosh.
Lluka ka deklaruar se Sipas të dhënave nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), për periudhën janar-gusht 2014 janë regjistruar 84 kompani të huaja, kryesisht nga sektorët procesim, ndërtim, shërbim, tregti etj. Numri i kompanive të huaja të regjistruara në ARBK, sipas shteteve, është: nga Shqipëria janë 13 kompani, Austria 3, Bullgaria 1, Belize 1, Zvicra 5, Gjermania 9, Franca 1, Britania e Madhe 3, Greqia 2, Kroacia 5, Mali i Zi 1, Maqedonia 8, Holanda 2, Serbia 7, Suedia 1, Sllovenia 2, Turqia 11, SHBA 2, Italia 2, Hungaria 1, Qipro 1, Kanada 1, Bosnja dhe Hercegovina 2.