Bie konsumi, inflacioni i nëntorit vetëm 1%
Tiranë, 8 dhjetor- Inflacioni pësoi një tjetër rënie drastike në muajin nëntor dhe preku vlerën më të ulët të këtij viti. Sipas të dhënave nga INSTATInstituti i Statistikave, inflacioni vjetor ra në 1%, nga 1.7% që kishte qenë në tetor.
Përcaktues në rënien e mëtejshme të inflacionit ishte ulja e çmimeve në grupin Ushqime dhe pije joalkoolike, inflacioni i këtij grupi në nëntor ra në 2.1%, nga 3.5% që ishte një muaj më parë. Në veçanti, nëngrupet Bukë dhe drithëra, Fruta dhe Zarzavate, përfshi patate pësuan rënie të ndjeshme të indeksit të çmimeve.
Produktet ushqimore vazhdojnë të japin ndikimin kryesor në inflacion gjatë këtij viti. Nga 1% që ishte inflacioni total për nëntorin, rreth 0.85% erdhi nga pikërisht nga grupi i ushqimeve, ndërsa një kontribut më të lehtë në rritje dhanë edhe grupet Pije alkoolike dhe duhan, si edhe Qira, lëndë djegëse, energji. Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, institucioni i ngarkuar me detyrën e ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, inflacioni i ulët i detyrohet kryesisht dobësisë së kërkesës.
Kjo vlen si për kërkesën e brendshme, ashtu edhe për kërkesën globale në tërësi, që po ushtron presione të ulëta për rritjen e çmimeve të lëndëve të para. Megjithë uljet e njëpasnjëshme të normës bazë të interesit deri në minimumin historik 3.25%, inflacioni vazhdon të ulet dhe është tashmë plot një pikë përqindje nën intervalin e poshtëm të objektivit të Bankës Qendrore.
Në raportin e Politikës Monetare për tremujorin e tretë të këtij viti, Banka e Shqipërisë parashikon vazhdim të inflacionit të ulët edhe gjatë vitit të ardhshëm, në intervalin 0.4% deri në 3.1%.